Task-Forca aksion në Portin e Durrësit, qeni antidrogë zbulon mbi 33 kg “të bardhë”, vinte nga Ekuadori

schedule18:33 - 3 Nëntor, 2022

schedule 18:33 - 3 Nëntor, 2022

Task-Forca ka zhvilluar një aksion antidrogë mbrëmjen e sotme në Portin e Durrësit.

Burime bëjnë me dije se në një kontejner të ardhur nga Ekuadori është zbuluar 33.5 kg kokainë, e ndarë në 31 pako.

Nga ana e forcave policore vijon kontrolli.

Njoftimi i policisë:

Port, Durrës – Finalizohet një tjetër operacion policor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Again”.

Sekuestrohen 31 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale 33.5 kilogramë.

Shoqërohen në DVP Durrës, 8 persona.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në Portin e Durrësit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të drogave të forta, bazuar dhe në inteligjencën informative, strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Portit Durrës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Again”.

Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionin policor të administruar nga Policia shqiptare, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në një kontenier të ngarkuar me banane, që kishte ardhur nga Ekuadori, për llogari të një firme në Tiranë, duke qenë se nga kontrolli me skaner nuk ishte konstatuar ngarkesë tjetër përveç arkave me banane.

Si rezultat i kontrollit me qen antidrogë, shërbimet e Policisë konstatuan në 2 arka bananesh, 31 pako, të mbushura me lënd të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale 33.5 kilogramë.

Në vijim të operacionit janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale, 8 persona, pjesëtarë të firmës që priste ngarkesën me banane dhe punonjës të skanerit në Portin e Durrësit.

Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Policisë së Shtetit vijojnë veprimet për zbardhjen e këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

Operacioni vijon.

/Abcnews.al.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!