Bashkimi Europian, por edhe Kina kanë reaguar këtë të premte ndaj njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për rritjen e tarifave për çelikun e importuar, duke paralajmëruar me masa reciproke për produktet amerikane.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përdorur tone sfiduese këtë të premte, duke deklaruar se nuk i trembet luftërave tregtare me vendet e tjera. Një ditë pas njoftimit se do të rrisë tarifat për çelikun dhe aluminin e importuar, Trump ka thënë se konfliktet tregtare janë pozitive dhe të thjeshta për t’u fituar.
“Nëse ne dalim me 100 miliardë dollarë humbje nga tregtia me një vend tjetër, atëherë nuk bëjmë më tregti me të dhe fitojmë. Kaq e thjeshtë është”, ka thënë Trump.
Ndërkohë, paralajmërimi i tij ka shkaktuar një valë reagimesh në rang global. Bashkimi Europian po shqyrton marrjen e masave reciproke.
“Nëse amerikanët vendosin tarifa për çelikun dhe aluminin, atëherë ne duhet t’i trajtojmë produktet amerikane në të njëjtën mënyrë”, ka thënë Jean Claude Juncker.
Presidenti i KE-së ka nënvizuar se Uashingtonit duhet t’i bëhet e qartë se edhe Brukseli mund të marrë masa. Qeveria franceze ndërkohë e ka cilësuar të papranueshme masën, që presidenti amerikan ka në plan ta konkretizojë në javët e ardhshme.
Ndërsa Kina i ka bërë thirrje Trump që të tregojë vetëpërmbajtje. Nga ana tjetër, Kanadaja, furnizuesi kryesor me çelik dhe alumin për Shtetet e Bashkuara, ka njoftuar se do të reagojë nëse preket nga tarifat amerikane./abcnews.al