Klubet do të duhet të paguajnë miliona lekë që të luajnë ndeshjet në “Arenën Air Albania”. Ky është vendimi i marrë nga Federata Shqiptare e Futbollit, pas analizës së kostove.
Dëshironi të luani në këtë luks? Atëherë, nëse ju pëlqen dhe nëse kërkoni të fitoni edhe para, duhet të paguani më shumë se deri tani. Ky ishte vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit për “Air Albania Stadium” dhe tarifa për çdo ndeshje do të jetë 8 deri në 10 milionë lekë të vjetër.
Burime në Komitetin Ekzekutiv treguan për ABC News se në mbledhje u llogaritën kostot e mirëmbajtjes dhe u vendos për këtë pagesë, me diferencën vetëm nëse do të luhet me ndriçim apo jo. Nga Federata informohemi se Partizani fitoi 110 milion lekë të vjetër neto, pra duke hequr të gjitha shpenzimet, nga derbi i luajtur në “Air Albania” me Tiranën.
Po ashtu, Kukësi fitoi 15 milion lekë, gjithashtu të vjetër nga ndeshja me Partizanin. Hera e parë që klubi verior del me fitim në një sfidë e kampionatit. Llogaritet që deri në fund të sezonit, në “Air Albania” të luhen 12 deri 13 ndeshje, nga të cilat ndeshjet derbi e kryeqytetit, apo sfidat e Tiranës e Partizanit me Kukësin, pse jo edhe ndonjë tjetër.
Deri tani, marrëveshja mes drejtorisë së stadiumit dhe klubeve ka qenë me përqindje dhe ndoshta ky negocim do të bëhet sërish për duelet mes Tiranës e Partizanit, duke pasur parasysh të ardhurat e mëdha që sjell kjo ndeshje. /abcnews.al