Në fund kërkohet gjithmonë një fajtor.
Tek Milani ndoshta do të shpallen dy, pasi dështimi sezonal mund t’i faturohet trajnerit Masimiliano Alegri dhe drejtorit sportiv, Igli Tare.
Drejtuesi shqiptar madje është akuzuar më shumë se të gjithë dhe mediat shkruajnë se ai do të largohet, e në vend të tij mund të vijë drejtori sportiv I Atalantës, Antonio D’Amiko.
Aq e vërtetë është kjo krisje me Taren, saqë pronari Xherri Kardinale, në një intervistë të ditëve të fundit nuk ia përmendi fare emrin shqiptarit, por deklaroi se “në 3 vite kam shpenzuar shumë, por paratë nuk janë investuar mirë”.
Akuza duket direkte. Gjithsesi, një analizë e fuqisë financiare e klubeve kryesore të Serisë A nuk e nxjerr kapitenin kuqezi aq shumë fajtor.
Sipas platformës televizive digjitale, DAZN, Milani ka një bordero totale të pagave në një vit prej 56.2 milionë eurosh, që bashkë me taksat shkojnë në 89.6 milionë.
Më të paguarit janë Leao me 5 milionë euro, si dhe dy të tjerë me 4.8 milionë në sezon.
Nëse e krahason me rivalët që janë më lart në renditje, Interi ka totalin e rrogave 81 milionë euro në sezon, që do të thotë 129 milionë bashkë me taksat, Juventusi 69 milionë, që shkon në 110 milionë bashkë me taksat, dhe Napoli që fitoi titullin sezonin e kaluar ka rekordin e Serisë A këtë edicion me 94 milionë euro në total, dhe bruto bashkë me taksat 150 milionë euro.
Në renditje, vetëm Interi ka bërë shkëputje të jashtëzakonshme me 85 pikë, Napoli ka 70 pikë, Juventus 68, ndërsa Milani e Roma nga 67 pikë.


