Lazio ka gabuar në dy ndeshjet e fundit dhe tani e sheh veten 7 pikë larg Juventusit kryesuese. Në “Olimpico” po luhet sfida ndaj Sassuolos dhe Igli Tare, drejtori sportiv i klubit bardhekaltër, karikoi skuadrën në një prononcim për Sky Sports.
“Qetësia vjen nga fitoret, ajo ndikon që të jesh i sigurt dhe të gjesh motivimin e duhur. Kemi shumë probleme, kemi biseduar gjatë me skuadrën dhe duhet të reagojmë. Kampionati është i hapur dhe gjithçka mund të ndodhë. Jemi të detyruar të japim gjithçka deri në fund.
Është e pamundur të japësh 100% kur ke shumë lojtarë të dëmtuar, por kjo duhet të jetë një stimul më shumë dhe jo një justifikim. Nuk ka lidhje kualifikimi në Champions, ne duhet të shohim përpara dhe të luftojmë me Juventusin deri në fund“, deklaron drejtori sportiv. /abcnews.al