“Tani ose kurrë”, OBSH bën thirrje për marrëveshje ndërkombëtare për të trajtuar pandemitë

schedule23:20 - 17 Shkurt, 2025

schedule 23:20 - 17 Shkurt, 2025

Një marrëveshje ndërkombëtare për të trajtuar pandemitë duhet të arrihet “tani ose kurrë”, tha kreu i OBSH, pasi filloi një javë tjetër negociatash, në të cilat Shtetet e Bashkuara nuk po marrin më pjesë.

Tedros Adhanom Ghebreyesus deklaroi se asnjë vend nuk do të jetë në gjendje të përballet i vetëm me pandeminë e ardhshme.

“Ne jemi në një pikë kritike ndërsa përgatiteni për të finalizuar marrëveshjen për pandeminë, përpara Asamblesë Botërore të Shëndetësisë,” tha ai në fillimin e raundit të 13-të të negociatave në selinë e OBSH-së në Gjenevë.

“Vërtet, është tani ose kurrë. Por jam i bindur që ju do ta zgjidhni tani sepse e dini se çfarë është në lojë”, shtoi ai.

Këto negociata synojnë të finalizojnë marrëveshjen përpara asamblesë vjetore të vendeve anëtare të OBSH-së në maj.

Në dhjetor 2021, vendet anëtare të OBSH-së vendosën të negociojnë një marrëveshje për parandalimin e pandemisë dhe gatishmërinë për të shmangur gabimet serioze të bëra gjatë pandemisë Covid-19. Megjithatë, çështje të rëndësishme mbeten ende, të tilla si shkëmbimi i informacionit rreth patogjenëve në zhvillim dhe përfitimet që do të dalin nga ky informacion, si zbulimi i vaksinave dhe trajtimeve.

“Kujtoni mësimet që kemi nxjerrë, rrugën e vështirë, nga Covid-19, i cili mori jetën e rreth 20 milionë (njerëzve) dhe vazhdon të vrasë. Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu: për të mbrojtur brezat e ardhshëm nga pasojat e pandemisë ,” theksoi Tedros.

“Për pandeminë e radhës, pyetja nuk është nëse do të ndodhë, por kur do të ndodhë. Shumë gjëra na kujtojnë vazhdimisht këtë rreth nesh: Ebola, virusi Marburg, fruthi, mpox, gripi, kërcënimi i sëmundjes tjetër të panjohur”, vazhdoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!