Tallja dhe spektakli – sfida jonë me fëmijët dhe veten

schedule20:15 - 14 Dhjetor, 2021

schedule 20:15 - 14 Dhjetor, 2021

Nga Agim Baçi

Nuk është aspak e lehtë në fakt t’i mbushësh mendjen sot një adoleshenti se sfidat në këtë botë zgjidhen duke besuar më shumë te vetja, pasi në një botë spektakli është gjithnjë e më e vështirë të kuptosh ku ndahet e vërteta me gënjeshtrën. Edhe për mjaft të rritur nuk është kaq e thjeshtë të dallohet ky hendek. Madje ka shumë të rritur që nuk kanë mundur të shohin kurrë asgjë as te vetja e as te tjetri edhe pasi janë rritur dhe janë bërë prindër. Ndoshta kjo vjen pikërisht se kurrë nuk kanë guxuar ta kundërshtojnë ligësinë që na mbjell në shpirt tallja që i bëjmë tjetrit, apo netët pa gjumë kur dikush është tallur apo na ka fyer ne të rriturit apo fëmijë tanë.

Aq më shumë duhet të shqetësohemi sot, kur përmes telefonave, internetit e gjithçkaje tjetër që transmeton gjendjen dhe fjalët tona, tallja nuk mbetet thjesht jona, por bëhet publike, shpërndahet duke tronditur këdo, sidomos të vegjlit, adoloshentët, që nuk arrijnë të kuptojnë fuqinë e gabimeve të çastit, sidomos të gabimeve që kanë të bëjnë me botën e tyre në rritje e plot enigma për mendjen dhe trupin e tyre.

Në fakt, çdo qytet në botë ka shpirt dhe shpirti i qytetit janë fëmijët tanë dhe miqtë e tyre. E nëse ne të rriturit jemi treguar të pakujdesshëm që të mbajmë qytetet ku jetojmë me një shpirt të pastër, me njerëz që të adhurojnë të mirën, apo që kemi heshtur përpara së keqes së përditshme, atëherë mundet që këtë pakujdesi tonën, këtë gabim tonin, ta ndreqim me fëmijët tanë, duke i mësuar se e keqja dhe tallja nuk mund të jenë të admirueshme. Sepse,  nëse jetojmë në një qytet me zemra të errësuara dhe që humbin besimin se ia vlen të jetosh duke menduar dhe vepruar mirë, atëherë askush nuk do ndjehesh kurrë i qetë, e aq më pak i gëzuar që po jeton këtu.

Shpesh njerëzit justifikohen se nuk kanë faj përballë së keqes, sepse besojnë se vetë nuk kanë bërë ndonjë gjë të keqe. Por në jetë ka gabime nga veprimet, aq sa ka edhe nga mosveprimet. Sepse shumë gjëra ndodhin kur ne mbyllim sytë ndaj talljes së një shoku apo një shoqeje, ndaj vjedhjeve, ndaj së keqes apo ndaj së ligës, duke mos e ditur se ajo është errësira jonë, që na mbulon të gjithëve e na pengon të lëvizim drejt një vendi me dritë.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!