Talibanët vrasin liderin e IS-it që planifikoi sulmin në aeroportin e Kabulit

schedule08:18 - 26 Prill, 2023

schedule 08:18 - 26 Prill, 2023

Lideri i grupit militant, Shteti Islamik (IS), që besohet se ka planifikuar sulmin me bombë në aeroportin e Kabulit më 2021 është vrarë nga talibanët, thanë zyrtarët amerikanë.

Bombardimi i gushtit të vitit 2021 la të vrarë të paktën 170 civilë dhe 13 ushtarë amerikanë, teksa njerëzit po tentonin të largoheshin nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin e shtetit.

Ky militant i IS-it është vrarë javë më parë, por është dashur kohë që të konfirmohet vdekja e tij, thanë zyrtarët amerikanë. Emri i militantit të vrarë nuk është bërë publik, shkruan REL.

Zyrtarët amerikanë thanë se kanë përcaktuar se lideri i IS-it është vrarë përmes mbledhjes së informacioneve të inteligjencës në rajon, edhe pse ata nuk dhanë detaje të tjera se si mësuan se ai ishte përgjegjës për bombardimin.

“Ekspertët në Qeveri kanë besim të madh se ky individ në të vërtetë ishte personi përgjegjës”, tha një zyrtar i lartë amerikan për CBS.

Sipas raportimit të New York Times, SHBA-ja mësoi për vdekjen e liderit të IS-it në fillim të prillit. Është e paqartë nëse ai është shënjestruar nga talibanët apo është vrarë gjatë luftimeve të vazhdueshme midis IS-it dhe talibanëve.

Më 24 prill, SHBA-ja nisi të njoftonte familjet e ushtarëve të vrarë në bombardimin në Kabul lidhur me vdekjen e liderit të IS-it.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!