Talenti shqiptar i regbisë, Peposhi firmos kontratën e parë si profesionist

schedule15:19 - 21 Shtator, 2020

schedule 15:19 - 21 Shtator, 2020

Eliot Peposhi është një talent i regbisë. 16-vjeçari me origjinë nga Kukësi ka lindur në Wigan të Anglisë, teksa pasionin për këtë sport e ka marrë nga babai i tij, Arbian Peposhi, i cili gjithashtu është lojtar regbi lige. Adoleshenti ka firmosur kontratën e parë profesioniste me St Helens.

Dy vite ka firmosur Peposhi me klubin anglez, teksa në akord është përfshirja opsioni i zgjatjes së bashkëpunimit për një tjetër vit, duke u bërë i pari lojtar nga Evropa Lindore që përfiton një kontratë të tillë në moshë kaq të re.

Jam shumë i nderuar dhe mirënjohës ndaj St Helens për kontratën që më ofruan. Po flasim për një klub të madh me histori. Është e shkëlqyeshme që jam zyrtarisht pjesë e tyre. Tani më duhet të punoj fort për të realizuar ambiciet e mia.

Një ditë mund të përfaqësoj trashëgiminë time dhe të bëhem pjesë e historisë me ekipin e Albania Rugby League”, deklaron Elioti 16-vjeçar. Një koment rreth këtij momenti të bukur bëri edhe babai i djaloshit të talentuar.

Një hap para drejt realizimit të ëndrrës për t’u bërë një lojtar profesionist i regbisë. Ka një rëndësi të madhe për mua fakti që djali im firmos këtë kontratë, pasi e di se sa fort ka punuar në katër vitet e fundit. Rëndësi ka që ai po bën diçka që e do me gjithë shpirt.

Kjo është diçka shumë e mirë për Albania Rugby League, sepse ne duhet ta prezantojmë këtë sport te brezi ynë i ri në Shqipëri dhe shpresojmë që kjo lojë e bukur të mund të zgjerohet në të gjitha komunitetet shqiptare“, deklaron Arbian Peposhi. /abcnews.al