Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Talenti i vogël i shahut/ 8-vjeçari fiton kampionate dhe synon arenën ndërkombëtare

schedule14:07 - 1 Shkurt, 2026

schedule 14:07 - 1 Shkurt, 2026

TIRANË- Eden Begotaraj është nxënës në klasën e dytë. Vetëm 8 vjeç, ai është një vogëlush i apasionuar pas lojës së shahut. Që në moshë të vogël, Eden ka kuptuar se ky sport, i njohur ndryshe si sporti i të zgjuarve, stërvit mendjen dhe zhvillon të menduarin logjik.

Pas vetëm një viti stërvitje, 8-vjeçari ka marrë pjesë në 5 kampionate kombëtare. Në një prej tyre, ku konkurruan rreth 120 fëmijë nga mosha 8 deri në 18 vjeç, Eden arriti të rrëmbejë vendin e parë, duke spikatur mes bashkëmoshatarëve dhe më të rriturve.

Ai shprehet se kjo fitore ka bërë krenare gjithë familjen e tij, ndërsa thekson se rezultati është fryt i një pune të gjatë, përkushtimi dhe disipline. Për vogëlushin, shahu nuk është thjesht një sport. Ai tregon se falë këtij pasioni ka arritur rezultate shumë të mira edhe në mësime, veçanërisht në lëndët që kërkojnë logjikë dhe përqendrim.



Eden e përshkruan veten si një shpirt luftarak, por shahu i ka mësuar edhe një nga mësimet më të rëndësishme të jetës: të pranosh humbjen dhe të mësosh prej saj.

Sporti është pjesë e përditshmërisë së Edenit, ndërsa ëndrrat për të ardhmen janë të mëdha. Përveç dëshirës për t’u bërë arkitekt, ëndrra e tij më e madhe është të përfaqësojë Shqipërinë në kampionatet ndërkombëtare të shahut.

Ndërkohë, për shumë prindër, shahu po shihet gjithnjë e më tepër si një mënyrë efektive për të ndihmuar fëmijët të arrijnë rezultate më të mira në mësime. Vogëlushi 4-vjeçar, Tian Ndou, është një prej shembujve, i cili prej 5 muajsh ka nisur kursin e shahut, duke hedhur hapat e parë në këtë sport të mendjes.

Eden dhe Tian janë shembulli se shahu nuk njeh moshë dhe se pasioni për lojën e mendjes lind që në fëmijëri. Me përkushtim dhe mbështetje, këta vogëlushë po hedhin sot hapat e parë drejt suksesit të nesërm.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!