Kristian Shpendi në këtë edicion ka qenë protagonisti absolut në Serinë C, ku ka shkëlqyer me fanellën e Cesena.
20 golat dhe 6 asistet e tij e kanë bërë atë një nga yjet e ekipit që u ngjit në Serinë B, duke zgjuar interesim nga klubet në kategoritë më sipër.
Këtë e ka konfirmuar zyrtarisht edhe drejtori sportiv i Cesena, Fabio Artiko, i cili bëri të qartë se për momentin, nuk ka asnjë vendim konkret nëse lojtari do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij klubi, apo nëse do të sakrifikohet për të ardhura ekonomike të rëndësishme.
“Duke parë atë që ka bërë këtë vit Shpendi, ai tregoi se mund të qëndrojë pa pikën e dyshimit në Serinë B. Në muajt e fundit kishte skuadra të kategorisë më të lartë që u interesuan për të. Në vijim do të vlerësojmë si ato që do të jenë ofertat e tyre, njëkohësisht edhe atë që mund të jetë rrugëtimi më i mirë për klubin dhe djaloshin”, tha ai.
“Në këtë moment, është e vështirë të thuash nëse do të qëndrojë. Duhet të ulemi në tavolinën e bisedimeve dhe klubi duhet të më japë sinjalizimet“, tha ai, duke bërë të qartë se nuk është marrë asnjë vendim rreth të ardhmes së djaloshit që ndiqet nga klubet e Serisë A./ h.ll/abcnews.al