Në një intervistë në emisionin “Sheshi i Dollarit”, eksperti kontabël Armand Mala foli për taksimin e platformave sociale, duke shpjeguar hapa pas hapi se si funksionon përllogaritja.
Gjatë intervistës, ai nënvizoi se administrata tatimore e ka shumë më të thjeshtë të kryqëzojnë të dhënat, pasi edhe përsosja e sistemit e ka thjeshtuar shumë procedurën.
“Është marrë nismë nga hetimi tatimor. Shumë individë që kanë gjeneruar të ardhura nga platforma online dhe nuk kanë bërë plotësimin në DIVA, u ka shkuar shkresë për të treguar burimin e parave të futura në llogarinë bankare. Nuk janë të pakta rastet ku është kërkuar ribërja. Pra administrata tatimore e ka shumë më të thjeshtë të kryqëzojnë të dhëna. Format përsosja e sistemit e thjeshton shumë procedurën”, tha ai.
Nga ana e tij eksperti për taksimin Edvin Stefani shpjegoi procedurat për deklaratën individuale vjetore e të ardhurave.
Gjatë intervistës, ai tha se afati 31 mars për të plotësuar deklaratat është afat i mjaftueshëm.
“Koha për të kuptuar ligjin nga një individ nuk del asnjëherë. Për këtë arsye kemi një profesion të veçantë. Është e mundur që të kemi gjithmonë vonesa në kohë. Megjithatë, ne duhet ta respektojmë kohën. Pra do të thoja që 31 marsi është afat i mjaftueshëm dhe i drejtohen një ekonomisti që edhe i ilustron madje”, tha ai.
Po ashtu eksperti Stefani, u ndal edhe tek platformat online dhe identifikimi i tyre.
“Individë që përfitojnë të ardhura nga individë të tretë, ligji aktual e ka bërë pak më të reklamueshme çështjen. Me përditësime rreth paketës në paqen fiskale është kërkuar që këto faqe të reklamojnë edhe informacionin përkatës të adresës së vendndodhjes dhe kjo ka zgjidhur pak problematikën që ekziston në fakt. Kjo është një rregullim i mirëpritur”, tha ai.
/abcnews.al/


