Taksat e bizneseve të Trump, demokratët i vendosin afat IRS-së

schedule20:47 - 14 Prill, 2019

schedule 20:47 - 14 Prill, 2019

Demokratët në Kongresin amerikan kanë kërkuar nga institucionet vendase që të bëjnë transparencë nëse bizneset personale të presidentit Donald Trump kanë shlyer taksat. Bëhet fjalë për një betejë të re politike që ka gjasa t’i shkaktojë dhimbje koke shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Demokratët në Kongresin amerikan i kanë shpallur një sfidë Shërbimit të Brendshëm të të Ardhurave, duke i kërkuar të publikojë brenda datës 23 Prill dokumentet për shlyerjen e taksave nga bizneset personale të presidentit Donald Trump.

Përmes një letre, ligjvënësit paralajmëruan institucionin që kujdeset për mbledhjen e taksave se dështimi në implementimin e kërkesës së tyre, që përfshin një periudhë 6-vjeçare, do të interpretohet si një refuzim.

Më herët, administrata amerikane tejkaloi një afat të vendosur më 10 prill nga demokratët, të cilët e kanë bazuar kërkesën e tyre tek kompetencat e komisionit të posaçëm parlamentar që mbikëqyrur aktivitetin e IRS-së.

Por sekretari për thesarin Stiven Mnushin ka deklaruar se demokratët po vendosin data arbitrare dhe ka theksuar se në këto rrethana është më e rëndësishme që Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave të mos kthehet në një armë politike.

Mnushin ka thënë se është i prirur të zbatojë ligjin, por nuk ka saktësuar nëse departamenti i tij, që mbikëqyr IRS-në, do të plotësojë kërkesën e demokratëve brenda 23 Prillit.

Sekretari i Thesarit deklaroi më herët gjatë javës se kërkesa e demokratëve ngre shqetësime mbi qëllimet e tyre dhe sa i takon mbrojtjes së privatësisë së taksapaguesve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!