Taksat dhe fiskalizimi, ekspertët flasin për problematikat e biznesit shqiptar krahasuar me rajonin

schedule18:49 - 19 Janar, 2022

schedule 18:49 - 19 Janar, 2022

Shtyrja e afatit të fiskalizimit është një temë që është diskutuar këtë të mërkurë në studion e ABC Live me kryetarin e Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka dhe përfaqësuesin nga shoqata Kombëtare e Kontabilistëve, Altin Sulejmani.

Jaka në fjalën e tij është shprehur se është e vështirë që të mendosh se akoma në vendin tonë ka biznese që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të pastrukturuar, ku thekson se  përfaqësuesit e biznesit duhet që të sforcohen fillimisht për të bërë të mundur dhe realizimin e procesit të fiskalizimit.

Ndër të tjera të ftuarit theksin e kanë vënë në krahasimin që i bëhet ekonomisë së vendi tonë me Gjermaninë dhe vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore kur në të vërtetë është shumë pas edhe Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas Jakës taksat gjithashtu kanë një rol të rëndësishëm në vendin tonë, ku siç thekson ai duhet që të ndiqet standarti i vendeve të Ballkanit.

“Për aq kohë sa ka problematika që trajtohen dhe nga ekspertët dhe nga sipërmarrjet do të thotë se është në çastin e duhur që institucionet të japin zgjidhje. Problematikat e të bërit biznes në Shqipëri janë të shumta dhe në disavantazh me vendet e rajonit. Ne e krahasojmë veten me Gjermaninë dhe vende  të tjera dhe jemi shumë më ulët se Kosova dhe Maqedonia aq më tepër Serbia dhe e konsiderojmë veten të lumtur. Kemi shumë mangësi dhe deficenca në lidhje me vendet e rajonit. Kemi sfida të mëdha para dhe integrimi rajonal na tha se duhet që të fiskalizojmë shumë shumë ndërmarrje.

Duke bërë një analizë nga vendet që aplikojnë sisteme të thjeshta tatimore ato kanë taksa të sheshta në 10 apo 20% sipas situatës ekonomike të tyre. Maqedonia dhe Kosova aplikojnë taksë të sheshtë. Evropa ka taksë progresive ndërsa Ballkani duhet që të hartojë taksa të thjeshta që të bëjë të mundur që të kemi një fiskalizim. Krahasuar me vendet e Evropës ne kemi taksa të ulëta, por është e rëndësishme që të dimë taksat e fshehura që ndikojnë në këtë sistem taksimi”, ka thënë Jaka.

Ndërsa nga ana tjetër përfaqësuesi i  shoqatës  Kombëtare e Kontabilistëve, është shprehur se afati i lënë për për mbushjen e kritereve është shumë i vogël dhe i pamundur që të plotësojë kushtet dhe se është e vështirë për shkak të pagesës që i duhet të bëhet.

Jam dakord për fiskalizimin por jo për të paguar. Shteti të mos bëhet pengesë për jetën e këtij biznesit. Një nga sfidat është normat çati të vendosura nga Banka e Shqipërisë unë e përshëndes si nisëm por më duket si lojë interesash për aktorët në treg. Ka norma interesi që në çdo vend tjetër të botës mund të cilësohen kamatë. Tregu financiar i kredive vijon të jetë në nivele ku preken të drejtat kushtetuese të shteteve. Ne nuk kemi shumë fuqi punëtore nuk ka as krahë punë dhe as investim. Në këtë shtet dikush duhet që të mendojë për strukturën e ekonomisë dhe cili është objektivi që na duhet”, ka thënë ai./abcnews.al