Taksa e ndikimit në infrastrukturë sjell 32% të të ardhurave të vendorëve, rekord Tirana, Kamza, Saranda

schedule23:46 - 10 Maj, 2023

schedule 23:46 - 10 Maj, 2023

Taksa e ndikimit në infrastrukturë mban rreth 32% të peshës së të ardhurave nga burimet e 61 bashkive (duke përfshirë të ardhurat nga taksat, tarifat dhe të ardhurat e tjera vendore) e ndjekur me 17% të peshës nga tarifat e mbledhura për gjelbërim dhe pastrim, dhe 17% pesha e të ardhurave nga tarifat administrave si dhe 16% nga taksa mbi pronën, sipas të dhënave të raportit të Institutit të Bashkive

Për 2022 arkëtimet me rritjen më të lartë janë nga taksa e hotelit, ndërsa arkëtimet nga taksat dhe tatimet nga biznesi i vogël u tkurrën 77%, duke shënuar rënien më të lartë.

Në total të ardhurat e 61 bashkive nga burimet e veta (duke përfshirë taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asete dhe të tjera) për 2022 arritën në vlerën e 285 mln eurove. Krahasuar me vjet të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore u rritën 7%.

Të ardhurat nga taksat e pushtetit vendor për 2022 ishin rreth 165 mln euro. Krahasuar me 2021 u rritën 1,7%. Të ardhurat nga tarifat arritën 111 mln euro dhe në raport me 2021 u rritën 11,3%. Ndërsa të ardhurat e tjera vendore janë 9 mln euro. Në 2022 u rritën 83% krahasuar me vitin paraardhës.

Sipas të dhënave të raportit të Institutit të Bashkive vihet re se në zërin e të ardhurave nga taksat, ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë dhënë taksa e ndikimit në infrastrukturë (+680 milionë lekë) dhe taksa e hotelit (+104 milionë lekë).

Performanca pozitive e vërejtur përgjatë vitit 2022 për këtë taksë i atribuohet 34 bashkive e më së shumti bashkive Tiranë (+112,1 mln lekë), Kamëz (+133 mln lekë), Sarandë (+140 mln lekë), Vlorë (+185 mln lekë) dhe Shkodër (55,5 mln lekë).

Ndërkohë që evidentohen një numër bashkish si bashkia Lezhë ku taksa e ndikimit në infrastrukturë shfaqet me rënie (-106 mln lekë), bashkia Korçë (-18.6 mln lekë) dhe bashkia Kurbin (-14.3 mln lekë) të cilat kanë performuar dobët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në raport Instituti i Bashkive ngre shqetësimin e detyrimeve të prapambetura të bashkive, duke ju bërë apel atyre të mos planifikojnë buxhete optimiste që më pas mund të shtojnë borxhet.

“Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë të varura ekskluzivisht nga kërkesa për leje ndërtimi si dhe nga miratimi i tyre nga njësitë e qeverisjes vendore, ç’ka e bën këtë taksë jo fort të parashikueshme dhe për rrjedhojë me karakter të ç ‘rregullt. Duke qenë se për disa nga bashkitë e marra në analizë, të ardhurat nga kjo taksë kanë një përpjesë të rëndësishme në totalin e të ardhurave nga taksat vendore, duhet që këto bashki të jenë të kujdesshme në planifikimin e të ardhurave nga kjo taksë në periudhat afatmesme në mënyrë që të mos hasin situata të “parashikimeve tejet optimiste” që mund të konkretizojnë mundësinë e krijimit të detyrimeve të prapambetura në krahun e shpenzimeve buxhetore të tyre”, citohet në raport.

Sakaq të ardhurat nga taksat dhe tatimet nga biznesi i vogël të mbledhura nga bashkitë kanë rënë 77,3% në 2022 krahasuar me një vit më parë.

Nga taksa e ndërtesës në 2022 u arkëtuan 41 mln euro të ardhura. Të ardhurat për këtë zë krahasuar me vjet u ulën 1,6%.

Arkëtimet nga taksa e hotelit për 61 bashkitë e vendit llogariten në vlerën e 2,6 mln euro. Krahasuar me 2021 arkëtimet nga kjo taksë u shtuan rreth 56%. Ndërsa arkëtimet nga taksa e tabelës arritën në vlerën e 3,2 mln eurove. Niveli i arkëtimeve në raport me vjet u rrit rreth 10%. /Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!