Teksa situata mes Kosovës dhe Serbisë vijon të tensionohet për shkak të taksës së vendosur nga qeveria e Prishtinës, analistët në Beograd u bëjnë thirrje palëve që t’i rikthehen dialogut, ndryshe rrezikojnë të shkojnë drejt konfliktit.
Serbia e ka pritur në heshtje dorëheqjen e krerëve të komunave serbe në veri. Beteja e saj kundër taksës së Kosovës shihet ende në fushën diplomatike, por një pjesë thonë se megjithatë në veri të Kosovës pushtetin e përbën vetëm shtabi i krizave. Analistët thonë se është gabim të mendohet se serbët mund të rrinë duarlidhur e pa reaguar kundër veprimeve të Kosovës. Dejan Miletiç, drejtor i Qendrës për Globalizim, thotë se pa dialog do të zgjerohet vetëm keqkuptimi dhe kjo mund të ketë efekte negative.
Dejan Miletic, Qendra për Globalizim, Beograd: “Është momenti i fundit kur mund të reagojmë dhe ta ndalojmë përshkallëzimin e mëtejshëm. Palët duhet t’i kthehen dialogut dhe mundësive për kompromis dhe jo të bëjnë garë kush i jep goditjen më të fortë njëra-tjetrës, pasi kjo është rruga drejt një konflikti të armatosur”.
Protestat, dorëheqja dhe vazhdimi i tyre në veri mund të sjellin deri tek barrikadat dhe problemet tjera. Dialogu i Brukselit ka pësuar vdekje klinike. Nëse si deri më tani, konsiderojnë analistët, duhet folur për statusin.
Marko Savkoviç, Qendra për Politika të Veçanta, Beograd: “Gjëja më e rëndë do të ishte të hiqej dorë nga dialogu. Por ndërsa nga njëra anë flitet për normalizim, në anën tjetër njëra palë lufton për njohje dhe pala tjetër për të kundërtën. Jemi në një situatë skizofrenie. Vështirë të ketë normalizim kur njëra palë lufton për pavarësi tjetra me legjitimitet kundër”.
Serbia është gëzuar nga fakti që Egjipti mund të jetë vendi i radhës që do të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Lobimi i saj duket se nuk do të ndalet bashkë me premtimet për ndihma për serbët e Kosovës. /abcnews.al