SHQIPËRI- Qeveria me anë të një VKM-ja ka vendosur të ndryshojë taksimin e pronës, ndërtesës apo për tokën bujqësore apo pyjore. Sipas këtij ligji, taksimi nuk do të llogaritet më mbi bazën e çmimit të referencës së pasurisë, por mbi vlerën e tregut.
Drejtori i politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, tha se kjo u bë për shkak se është e domosdoshme përafrimi i çmimit të referencës me atë të vlerës reale në treg.
“Në korrik të 2023, ne rishikuam çmimet e referencës për qytetin e Tiranës, sepse është e domosdoshme që çmimet të përputhem me çmimet reale të pasurive të paluajtshme”, tha Lera.
Gjatë intervistës në “Money Report”, Lera u shpreh se kostoja e pagesës së kalimit të pronësisë për pallatet e reja duhet të jetë më e lartë, krahasuar me ndërtimet që kanë disa vite.
“Çmimet e apartamenteve të reja duhet të jene më të larta se çmimet e apartamenteve të vjetra. Nëse në 2024 është 1000 euro, ndërsa apartamenti që do shisni është i 2004, atëherë çmimit prej 1000 euro do t’i zbritet 20%”, tha ai.
Ai theksoi se tashmë janë ngritur grupet e punës për të riparë çmimet me qëllim përafrimin e tyre me realitetin, që diktohet prej tregut.
“Ne kemi krijuar grupet e punës për të riparë që çmimet të jenë afër realiteti. Ashtu siç u bë për Tiranës, do të shihen me piritet në zonat të ndjeshme”, tha ai./ n.m.abcnews.al