Takimi Trump-Kim/ Zyrtari i lartë koreano-verior në Nju Jork

schedule23:30 - 29 Maj, 2018

schedule 23:30 - 29 Maj, 2018

Vizita e një zyrtari të lartë koreano-verior në Shtetet e Bashkuara është sinjali më i fundit se dy vendet po përpiqen të shpëtojnë nga dështimi takimin mes Trump dhe Kim Jong Un. Në Nju Jork, nënkryetari i regjimit do të takohet me sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo.

Një zyrtar i lartë koreano-verior u nis të martën për në Nju Jork, për një takim me sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo. Bëhet fjalë për sinjalin më të fundit të përpjekjeve për shpëtimin e takimit mes presidentit Donald Trump dhe liderit Kim Jong Un, i planifikuar për muajin e ardhshëm. Vetë Trump njoftoi përmes rrjetit social Twitter ngritjen e një grupi të posaçëm për bisedime me qeverinë e Penianit. Sipas kreut të shtetit, mes dy vendeve po zhvillohen takime që kanë të bëjnë me samitin por edhe çështje të tjera. Dhe ardhja në Nju Jork e Kim Jong Çol, nënkryetar i regjimit në Korenë e Veriut, tregon sipas Trump se sinjalet janë pozitive. “Është një përgjigje solide që i është dhënë letrës sime. Ju faleminderit”, ka thënë Trump duke iu referuar letrës personale të publikuar javën e kaluar, kur njoftoi anulimin e takimit. Ndërkohë, takimi i Kim Jong Çol, nënkryetar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe më parë shef i shërbimeve sekrete ushtarake, me zotin Pompeo do të zhvillohet më vonë gjatë javës. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara po vijojnë me intensitet përgatitjet për takimin e Singaporit. Ndërsa agjencia koreano-jugore e lajmeve “Yonhap” njofton se nisja e të dërguarit të Penianit në Nju Jork ishte parashikuar të mërkurën, pas një takimi me zyrtarët kinezë në Pekin. Motivet e këtij ndryshimi janë të paqarta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!