Një takim hikstorik, por që sipas analistëve nuk pati asnëj rezultat konkret, përvec uljes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Veriut. Por a do të jetë shtrëngimi i duarve në Singapor mes presidentit amerikan Trump dhe liderit koreanoverior Kim Jong-un, më shumë se kaq?!
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, u takuan në ishullin Sentoza në Singapor. Kjo ishte hera e parë që një president amerikan në fuqi takohet me një lider të Koresë së Veriut, dhe për këtë arsye takimi u quajt historik. Trump e Kim diskutuan në dy takime të ndryshme, bënë foto sëbashku dhe më pas firmosën dokumentin e përbashkët. Kreu i Shtëpisë së Bardhë mbajti një konferencë për shtyp për të shpjeguar rreth atyre që ishin folur.
Trump e Kim ndër të tjera premtuan se do të takohen sërish në Penian ose Uashington, në momentin më të duhur, duke thënë se kishin ndërtuar një marrëveshje të veçantë. Në konferencën për shtyp, Trump u shpreh se besonte tek Kim, një deklaratë surprizë duke marrë në konsideratë dekadat me kërcënime të armatosura, mosbesim reciprok dhe armiqësi mes Koresë së Veritu dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe faktin se si Trump keqtrajton shpesh aleatët historikë.
Trump e Kim në takimin e parëm, pak pas shtrëngimit të duarve, vetëm në prani të përkthyesve, biseduan rreth 38 minuta dhe askush nuk e di se çfarë u tha saktësisht, ndërsa në takimin e dytë që zgjati pak më shumë, morën pjesë dhe këshilltarët politikë amerikanë dhe koreanoveriorë. Trump e Kim më pas shëtitën vetëm në kopshtin e hotelit luksoz, duke folur pa praninë e përkthyesve, ndërsa presidenti amerikan i tregoi limuzinën e tij liderit koreanoverior.
Në përfundim të takimeve, dy liderët morën pjesë në një ceremoni paksa të improvizuar me firmosjen e një dokumenti të përbashkët. Në dokument kishte marrëveshje jo shumë të qarta.
E gjithë vëmendja botërore u fokusua pikërisht tek marrëveshjet e dakordësuara. Menjëherë nisi gara për të zbuluar atë çfarë nënshkruan dy liderët. Tashmë është publikuar edhe gjithë deklarata.
Në të, thuhet se Trump dhe Kim Jong-un u dakordësuan që të nisin një epokë të re të marrëdhënieve mes dy vendeve të bazuara në paqe. Presidenti amerikan angazhohet për të ofruar garanci të sigurisë në Korenë e Veriut dhe udhëheqësi Kim Jong-un riafirmoi angazhimin e tij të palëkundur për të përfunduar denuklearizimin e gadishullit korean. Të bindur se krijimi i marrëdhënieve të reja SHBA-Kore e Veriut do të kontribuojë për paqen dhe prosperitetin e Gadishullit Korean dhe të botës dhe duke pranuar se ndërtimi i besimit të ndërsjellë promovon denuklearizimin e gadishullit korean, Presidenti Trump dhe udhëheqësi Kim Jong Un deklarojnë si në vijim:
- Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut përkushtohen të vendosin marrëdhënie të re SHBA-Kore e Veriut në dakordësi me dëshirën e popujve të dy vendeve për paqe dhe prosperitet.
- Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut do t’i bashkohen përpjekjeve të tyre për të ndërtuar një regjim të jetëgjatë dhe të qëndrueshëm të paqes në gadishullin korean.
- Duke riafirmuar deklaratën e Panmunxhom të 27 Prillit të 2018-s, Koreja e Veriut përkushtohet të punojë drejt çarmatosjes bërthamore të plotë të gadishullit korean.
- Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut përkushtohen në transferimin e eshtrave të ushtarëve të rënë në luftën e Vietnamit, përfshirë riatdhesimin e menjëhershëm të atyre që janë identifikuar.
Ndërkohë, më tej nënvizohet se samiti, i pari në histori i këtij lloji, është një event epokal që ka një domethënie të madhe në kalimin e tensioneve që ka zgjatur me dekada mes dy vendeve. Gjithashtu nënvizohet përkushtimi për të vijuar negociatat mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.
Por analistët këmbëngulin se në fakt Korea e Veriut nuk ka premtuar se do të shkatërrojë armët bërthamore. Edhe në dokumentin e përbashkët dhe në konferencën për shtyp të Trump u fol për shkatërrim të armëve bërthamore, por kjo fjali kuptohet ndryshe në Uashington dhe ndryshe në Phenian. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënkupton një shkatërrim total të arsenalit koreaoveriordhe aksesin e inspektorëve ndërkombëtarë në këto centrale. Ndërsa për Korenë e veriut nënkupton çarmatim, ndoshta, por jo garanci. Një gjë e tillë për Phenianin mund të ndodhë pasi trupat ushtarake amerikane të tërhiqen nga rajoni, apo pas heqjes së të ashtuquajturës cadër bërthamore amerikane nga Korea e Jugut dhe Japonia. Çadra bërthamore përfshin një sërë garancish që i jepen një vendi i cili ka arsenal bërthamor. Në këtë rast Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vendi aleat që nuk ka një arsenal të tillë.
Sipas asaj që deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në konferencën për shtyp, Kim Jong Un ka premtuar se do të shkatërrojë një central të rëndësishëm, ku zhvillohen teste të raketave bërthamore, por nuk dihen detaje të tjera. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana e tyre deklaruan se do të pezullonin stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut edhe pse analistët e cilësuan si një lëshim të tepruar nga ana e palës amerikane dhe pa një rezultat konkret. Ndërsa të tjerë këmbëngulin se kjo ishte një gjë që Trump kishte vendosur ta bënte kohë më parë. Por gjithësesi asnjë nga këto pika nuk është pjesë e deklaratës së përbashkët dhe nuk është e qartë se pse.
Trump tha se u fol dhe për shkeljen sistematike të të drejtave të njeriut nga ana e rgjimit të Kim në Korenë e Veriut. Tema e të drejtave të njeriut u trajtua shumë shkurt në krahasim me atë të programit bërthamor që konsiderohej si më e rëndësishmja e këtij takimi. Trump u shpreh se Kim Jong-un ishte i gatshëm për të bërë diçka rreth problemit të shkeljes së të drejtave të njeriut, por pa dhënë detaje specifike.
Presidenti amerikan deklaroi se për momentin sanksionet e vendosura ndaj Koresë së Veriut, nuk do të eliminohen por nuk përjashtoi faktin se çështja mund të rishikohet në të ardhmen. Ai shtoi se nuk do të flitet ende për tërheqjen e trupave ushtarake amerikane dhe se është shumë shpejt për nisjen e marrëdhënieve diplomatike zyrtare mes dy vendeve. por në fund ai tha se shpresonte që gjërat të ndryshonin shumë shpejt.
Nuk ka një përgjigje të saktë nëse takimi shkoi mirë apo keq. Pesimistët, që janë në mazhorancë, e cilësojnë si një takim aspak efikas, me premtime të mjegullta e që mund të interpretohen në shumë mënyra. Optimistët nga ana e tyre e shohin si një fillim, më të mirin që mund të pritej nga një situatë që deri pak muaj më parë dukej shumë e rëndë dhe e tensionuar. Por të dyja palët i bashkon një pikë e përbashkët: administrata amerikane vazhdon të besojë se mund të arrijë të marrë një marrëveshje me Korenë e Veriut për shkatërrimin e plotë të armëve bërthamore. Një premtim që deri tani Kim Jong-un nuk e ka bërë asnjëherë
Por ka dhe një gjë të fundit, Kim Jong-un fitoi që në momentin kur presidenti amerikan, Donald Trump, shkeli në Singapor. Një nga objektivat e Phenianit ishte që të fitonte legjitimitet ndërkombëtar dhe nuk kishte një mënyrë më të mirë për ta arritur këtë me një takim kaq të rëndësishëm me liderin e vendit më të fuqishëm në botë.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, ka qenë promovuesi kryesor i afrimit të Kim e Trump, duke shpresuar në një ulje të tensionit mes dy vendeve, si dhe në një zëvendësim të armëpushimit të 1953-shit, që i dha fund luftës mes dy koreve, në një traktat të vërtetë paqeje.
Në fund të takimit, Moon dha një deklaratë për shtyp, duke uruar presidentin amerikan Trump dhe liderin koreanoverior Kim për kurajën e treguar, duke pranuar të takoheshin në Singapor.
Por Rusia nuk e ka pritur me shumë entuziazëm takimin mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Duke dashur gjithmonë rolin e protagonistit, Kremlini u shpreh shumë skeptik sa i përket samitit. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov përshëndeti takimin, megjithatë tha se nuk ka parë asnjë dokument të asaj që është nënshkruar.
Kurse më i ashpër ishte reagimi i zëvendësit të tij. “Nuk mundet të mos e presim në mënyrë pozitive hapin e rëndësishëm përpara të ndërmarrë, edhe pse djalli qëndron në detaje”, u shpreh Sergei Rijabkov. Më tej ai nënvizoi se “së bashku me Kinën synojnë të rikthejnë formatin e negociatave me 6 anëtarë të fuqive të mëdha”.
Edhe Pekini ka përshëndetur samitin mes SHBA-ve dhe Koresë së Veriut. Ndërsa është pyetur nga gazetarët, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës ka thënë se rezolutat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund të rregullohen duke hequr disa masa ndëshkuese në mënyrë që të mbështetet eleminimi i arsenalit bërthamor.
“Kina mbështet qëndrimin se sanksionet nuk janë qëllimi kryesor”, u shpreh Geng Shuang.
Gjithashtu samiti është përshëndetur edhe nga kryeministri japonez, Shinzo Abe, i cili kryesisht falenderoi presidentin amerikan. Ndërkohë, edhe Bashkimit Europian ka komentuar zhvillimet në Singapor. Përfaqësuesja për politikë të jashtme, Federica Mogherini tha se takimi historik ishte nje hap i nevojshëm për të vijuar me çarmatosjen bërthamore të gadishullit korean./abcnews.al