Takimi, porosia e Metës ndaj Muçit: Lere detyrën, zgjedhim anëtarin tjetër

schedule14:10 - 22 Nëntor, 2019

schedule 14:10 - 22 Nëntor, 2019

Është zbardhur takimi i Presidentit Ilir Meta me Besnik Muçin. Presidenti Meta i ka kërkuar Besnik Muçit që të rishikojë qëndrimin e tij për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese si Gjyqtar.

Meta ka kërkuar marrjen në konsideratë vendimin e KPA për shkarkimin e tij ndërsa Muçi ka deklaruar se vendimi i KPA është diskriminues por ai do të mirëkuptojë çdo vendim të Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese për plotësimin  e vakancave në Kushtetuese.

Deklarata e Plotë e Presidencës:

“Presidenti Meta pret në takim z.Besnik Muçi

22 nëntor 2019

Presidenti i Republikës SH.T.Z Ilir Meta priti sot në një takim z.Besnik Muçi.

Presidenti Meta, e falenderoi z.Muçi që pranoi të ushtronte detyrën e Gjyqtarit të Gjykatësit Kushtetues, si kandidatura e parë e përzgjedhur nga Presidenti i Republikës.

Presidenti Meta i kërkoi zotit Muçi që të vlerësonte mundësinë që të rishikonte qëndrimin e tij më të fundit për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shprehej me vendim për të deklaruar përfundimin e mandatit të tij si gjyqtar kushtetues.

Z.Muçi i deklaroi Presidentit Meta se, procesi i rivlerësimit kalimtar i kryer në Kolegjin e Posacëm të Apelimit ka qenë tepër diskriminues edhe për faktin e qëndrimeve të tij si gjyqtar kushtetues.

Z.Muçi i shprehu Presidentit Meta se nuk është politikan, por një jurist dhe duhet të veprojë si i tillë deri në fund për të kërkuar të drejtat e tij pranë çdo gjykate ndërkombëtare, vendimi i së cilës ka juridiksion ndaj Republikës së Shqipërisë.

Megjithatë zoti Muçi e garantoi Presidentin Meta se do të mirëkuptojë çdo veprim të mëtejshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Presidentit të Republikës, për të vijuar procesin midis tyre në lidhje me plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti Meta ndërkohë është në pritje të njoftimit nga Gjykata Kushtetuese për të rishpallur mënjehërë këtë vakancë për aplikim.

Presidenti Meta bën publik edhe faktin se ka vendosur që shorti për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, do të realizohet nga Institucioni i Presidentit të Republikës në datë 5 dhjetor 2019 dhe pas fillimit të funksionimit të KED-së së re, do ta ndjekë me shumë rigorozitet gjithë veprimtarinë e saj, për të mos lejuar më asnjë devijim nga parimet dhe dispozitat kushtetuese dhe të ligjit për të mbrojtur integritetin e mëtejshëm të gjithë procesit për ngritjen dhe funksionimit e plotë të Gjykatës Kushtetuese”./abcnews.al