WASHINGTON- Koloneli Sami Neziri, i ftuar në emisionin “War Report”, u shpreh se takimi i Donald Trump me Volodymyr Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë nuk “prodhoi asnjë zhvillim sa i takon arritjes së paqes”.
Ai theksoi se takimi i shërben frymës pozitive të negociatave, por në thelb nuk pati asgjë konkrete. Koloneli tregoi dy çështjet e forta për të cilat as Ukraina nuk është e gatshme t’i pranojë në këmbim të paqes.
“Unë besoj se përveç optimizmit nuk pati ndonjë zhvillim. Optimizmi është për të mbajtur gjallë frymën e negociatave. Praktikisht nuk pati zhvillim; ngecja është te territori dhe centrali bërthamor i Zaporizhias. Të dyja palët e kanë të vështirë të bëjnë lëshime. Ukraina nuk lëshon territor, sepse Zelensky nuk e ka tagrin për ta bërë, pasi kjo do të kërkonte referendum. Rusia duhet të marrë diçka në këmbim të katër vjetëve luftë, duhet të justifikojë katër vitet e luftës. Ky ishte vazhdimi i këtyre takimeve, por pa rezultate konkrete. Ukraina mori garanci sigurie. Ajo kërkon garanci sigurie ligjërisht të zbatueshme, të miratuara nga Kongresi dhe nga Parlamenti i Ukrainës.”, tha ai.
Ai komentoi gjithashtu qasjen e ndjekur nga Donald Trump dhe përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila vijon prej vitesh. Sipas kolonelit, Trump dhe administrata e tij kanë pasur luhatje në qëndrimet e tyre.
“Ka pasur luhatje në qëndrimet e tij. Kjo ka filluar që në fushatën e tij elektorale. Ai premtoi se do t’i jepte fund luftës brenda 24 orëve. Ai mendonte se, duke pasur marrëdhënie personale me Putin, do t’i jepte fund luftës. Qëndrimi i administratës Trump ka qenë i luhatshëm.”, shtoi ai./abcnews.al

