Takimi në Athinë, nën masa të rrepta sigurie/ Goxhaj: Rama luajti me simbolikën. Osmani: Mitsotakis u përpoq që…

schedule21:30 - 13 Maj, 2024

schedule 21:30 - 13 Maj, 2024

Takimi i kryeministrit Edi Rama me emigrantët në Athinë dhe masat e sigurisë ndaj tij po diskutohen këtë të hënë në emisionin “360 gradë” të gazetarit Artur Zheji. Ish oficeri Dritan Goxhaj thotë se Rama luajti me simbolikën, duke zgjedhur datën e arrestimit të Fredi Belerit për takimin në Athinë.

Sipas Goxhajt, siguria e madhe ishte “për të dhënë idenë që Rama është patriot i madh shqiptar dhe mund të rrezikohet nga qarqe shoviniste greke.” Eksperti i gjeopolitikës Kreshnik Osmani tha se siguria e madhe ishte për të dhënë rëndësi për shkak se vizita u parapri me tensione të panvojshme.

Sipas Osmanit, Mitsotakis kishte interes që ta minimizonte rëndësinë e vizitës së kryeministrit Rama. Ndërsa për kapitenin Artur Meçollari, forcat e shumta te sigurisë lidheshin me vendin ku do të mbahej tubimi. Sipas tij, Rama i përcolli një mesazh homologut grek pas dy vitesh tensionesh mes tyre.

Pjesë nga diskutimi: 

Dritan Goxhaj: As Rama nuk ruhej nga asnjë dredhi dhe as Mitsotakis nuk e ruante Ramën. Ishte thjesht një lojë e Mitsotakis për të na e shërbyer Ramën si një patriot i madh shqiptar dhe me atë që do të thoshte ai do të ngrinte probleme në Greqi dhe duke zgjedhur datën simbolike të vajtjes, se Rama ka lozur simbolikisht ashtu sikurse grekët. Edhe kur Mitsotakis erdhi vjet në Himarë erdhi në një datë simbolike, në datën kur forcat greke zbritën në Himarë për të shpallur republikën e Vorio-Epirit. Dhe Rama zgjodhi datën kur u arrestua Beleri. Entorazhi i madh i sigurisë është për të dhënë idenë e sigurisë që Rama është patriot i madh shqiptar dhe mund të rrezikohet nga qarqe shoviniste greke.

Kreshnik Osmani: Mendoj se forcat e sigurisë janë të lidhura me përgatitjet e të dyja palëve për të krijuar dekorin e festivalit të ri gjeopolitik të hapur tashmë në Ballkan. Kjo vizitë nuk është rastësore, pa qëllime dhe simbolika dhe secila palë përcjell mesazhet e saj. Rama ka lojën e tij, Mitsotakis ka të tijën dhe lojtarë të mëdhenj, të cilët po konfigurojnë edhe njëherë lojën e Ballkanit, kanë regjinë, kompozimin dhe tekstin e tyre për këtë lojë të re. Mbështetja e kaq shumë forcave policie vjen edhe për atë që Ramës t’i jepet një rëndësi e madhe sepse vetë vizita e tij u parapri me tensione të panevojshme. Duke qenë se situata në rajon është goxha e nxehtë, sipari i festivalit që hapi Rama ka brenda avujt të nxehtë, të cilëve Mitsotakis i parapriu me masa të rrepta sigurie për të mos u përballur me ndonjë zhvillim që mund të jetë i paparashikueshëm. Mitsotakis nuk kishte interes ta pomponte por ta minimizonte atë. Inferioriteti duke i thënë disa herë miku im, që se priti fare, Edi Rama kishte nevojë për vëmendjen e Mitsotakis dhe ia shprehu disa herë miqësinë edhe pse ai e kishte përgatitur terrenin në Greqi duke thënë se erdhi miku i paftuar.

Artur Meçollari: Çështja e masave të sigurisë është që lidhet me vendin ku ndodhej tubimi. Kemi të bëjmë me një ambient publik, ku kishte mijëra veta. Dhe si e tillë për të parandaluar çdo lloj ngjarje, qeveria greke ka përgjegjësi ligjore për sigurinë fizike të çdo kryeministri dhe si e tillë është e detyruar të marrë masa maksimale. Unë nuk shikoj ndonjë masë shtesë nga pikëpamja e ndodhisë, duhet të kuptojmë se Rama pavasësisht se ka rreth dy vjet që ka probleme me Mitsotakis, kuptohet që donte t’i jepte një mesazh që jam gati të ulem. I bëri edhe ofertën që duke anatemuar ose deklaruar pozicionin e tij ndaj të majtës greke.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!