Takimi me Osmanin, Veteranët: Nëse dekretohet paga minimale, do bllokojmë Parlamentin

schedule16:17 - 18 Korrik, 2023

schedule 16:17 - 18 Korrik, 2023

Ka përfunduar takimi i presidentes Vjosa Osmani me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, pas së cilit, Xhavit Jashari theksoi se kërkuan që të mos e nënshkruajnë Ligjin për Pagën Minimale.

Ai tha se kërkesë e tri organizatave është që të mbajnë protesta dhe të bllokojnë punën e Parlamentit.

“Kërkesa jonë ishte që mos ta nënshkruajë dhe presidentja tha se ka tre profesorë të paanshëm politik dhe ekspertë të kësaj fushe dhe paanshëm kanë për të vlerësuar”, tha Jashari.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku, tha se nuk po përfillen as nga Qeveria, e as nga Kuvendi.

Ai tha se adresa e fundit ka qenë presidentja, tek e cila shtoi se paraqiten shqetësimet.

“Kishim takim tri organizatat e dala nga lufta dhe paraqitem të gjitha shqetësimet, përkitazi me shkelje të ndryshme qe ka bërë qeveria. Ne treguam qysh në ligjet e mëhershme që janë në fuqi, fare si organizata të dala nga lufta nuk kanë konsultuar organizatat. Kemi pasur protesta qysh vitin e kaluar dhe nuk kemi kontakte me kryeministrin qysh vitin e kaluar”, tha ai.