Deklaratat që djali i presidentit amerikan, Donald Trump Jr, dhe bashkëpunëtorët e tij bënë në një prej komisioneve hetimore të “Russia-gate” do të bëhen së shpejti publike. Vendimi i Senatit amerikan mund të jetë një dhembje koke më shumë për presidentin Trump.
Një komitet i Senatit amerikan ka në plan të publikojë intervistat e transkriptuara të anëtarëve të stafit të presidentit Trump, që morën pjesë në një takim me një avokate ruse në vitin 2016, në Trump Tower. Mes intervistave të transkriptuara është edhe ajo me Donald Trump Jr, i cili vitin e kaluar konfirmoi se kishte qenë i pranishëm në takim, pasi i ishte premtuar material kompromentues mbi rivalen e të atit, Hillary Clinton.
Marrjet në pyetje janë pjesë e një prej hetimeve të shumta që po zhvillohen për të hedhur dritë mbi lidhjen eventuale të stafit elektoral të Trump me Rusinë. Për momentin ende nuk dihet se kur këto materiale do të publikohen.
Kryetari i komisionit të ligjeve në Senatin amerikan, Chuck Grassley deklaroi se paneli do të nisë publikimin e intervistave menjëherë, në mënyrë që publiku të ketë mundësinë të njihet me to. Dianne Feinstein, një zyrtare e nivelit të lartë, u shpreh e kënaqur nga vendimi i kolegut Grassley.
Komisioni, që drejton një nga katër proceset hetimore mbi stafin e presidentit amerikan, ka marrë në pyetje edhe pjesëtarë të tjerë në takim, përfshirë promovuesin muzikor Rob Goldstone, lobistin ruso-amerikan Rinat Akhmetshin dhe Anatoli Samochornov, që ishte dhe përkthyesi i avokates ruse Natalia Veselnitskaja.
Kur takimi në fjalë u bë publik për herë të parë, djali i shefit të Shtëpisë së Bardhë, Trump Junior, tha në një deklaratë se kishte biseduar për çështjen e adoptimit të fëmijëve rusë në Amerikë. Por më vonë ai e ndryshoi qëndrimin e tij, duke thënë se kishte qenë atje pasi i ishte premtuar material kompromentues për kandidaten demokrate, Hillary Clinton./abcnews.al