Takimi kosovë Serbi i 2 shtatorit mund të shtyhet për një datë tjetër, dhe pritet që pjesë e tij të jetë edhe Presidenti Trump. Takimi i caktuar me 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë, me shumë gjasë do të shtyhet për dy ditë.
Mediat në Kosovë bëjnë me dije se takimi mund të zhvendoset më datë 4 shtator, dhe në këtë takim mes përfaqësuesve serbë dhe kosovarë të jetë edhe vetë Presidenti amerikan, Donald Trump. Ai tashmë është duke zhvilluar fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale që mbahen në nëntor.
Kosova është pajtuar për shtyrjen e takimit, ndërsa ka mbetur që edhe Serbia të japë qëndrimin e saj. Aranzhimin e takimit mes Kosovës dhe Serbisë e kishte bërë të ditur Richard Grenell, emisar i Trumpit për dialogun.
Këtë takim po e organizon këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit, Robert O’Brien. Zyra e O’Brien ditë më parë i ka konfirmuar Gazetës Express se në takim marrin pjesë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Deri më tani është spekuluar se nga Shtëpia e Bardhë, Kosova e Serbia mund të dalin me lloj-lloj marrëveshje, madje është përmendur edhe mundësia për një marrëveshje finale. Kryeministri Hoti ka thënë se në takimin në Shtëpinë e Bardhë do të diskutohet “për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit”.
Edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciç ka thënë se Serbia po merr pjesë për të diskutuar tema ekonomike.
Një takim mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar të mbahen më 27 qershor, por u anulua pasi Prokuroria Speciale në Hagë njoftoi se ka dorëzuar aktakuzë për krime lufte ndaj Presidentit Hashim Thaçi, që veçse ishte nisur në Ëashington për takim./abcnews.al