Aleatët e Partisë Demokratike besojnë se platforma për daljen nga kriza do të jetë zgjidhje për krizën politike. Për ABC Neës, aleatët e PD sqarojnë propozimet që do ketë alternativa opozitare dhe thirrja për kontributet historike.
Darka informale e organizuar nga kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, unifikoi qëndrimet opozitare të cilat do të pasqyrohen të plota në një dokument që do të mbajë emrin “Platforma për daljen nga kriza”. Për ABC News, aleatët e PD, Mediu, Shehi dhe Vasili sqarojnë thelbin e alternativës opozitare.
“Koordinimi konsiston në një lloj institucionalizimi të marrëdhënieve tona në pikëpamjet e vendimmarrjeve si kryetar partie, por pastaj në nivele të tjera të organizimit të grupeve të punës, platformave, reformave të rëndësishme me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Mundësitë për të ndërtuar një debat të qënësishëm për të kthyer Shqipërinë në rrugë kushtetuese, sidomos garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Mediu.
“Teza bazë është kjo, përgatitja e një platforme të gjerë që do u ofrohet për transparencë të gjithë shqiptarëve. Brenda këtij muaji do i ofrohet dhe ndërkombëtarëve për t’u thënë që ne si opozita e bashkuar ka këto pretendime dhe ofrojmë këto mënyra zgjidhjeje”, tha Shehi.
“Ne po përgatisim një platformë, e cila nuk ka lidhje me datën e negociatave pasi ne e kemi shumë të qartë krizën. Keni edhe një skaner plotësues që e ka bërë më së miri ODIHR, por keni edhe shumë konstatime që kanë ardhur edhe nga institucionet e mediat, keni raportin e DASH. Kjo është një platformë që po punohet instensivisht dhe do të jetë shumë shpejt gati, ndërkohë aksioni do të vijojë në të gjitha format e veta”, tha Vasili.
Duke bërë të qartë se opozita është e unifikuar, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili i referohet qëndrimeve të Kryemadhit kur thotë se me Ramën në zgjedhje fitorja e opozitës është më e sigurt.
“Zonja Kryemadhi ka thënë edhe një fjalë tjetër që prania e Edi Ramës e bën më të sigurt fitoren e opozitës. Pra ka dhënë të kuptojë që ne nuk kemi shqetësim nga kjo, por standarde të larta dhe administrim zgjedhor nuk mund të kryhet me Edi Ramën. Për 30 Qershorin kur votoi vetë, numëroi vetë, administroi vetë dhe mori atë raport të OSBE/ODIHR që nuk është parë në historinë e zgjedhjeve tregon raportin e Ramës me zgjedhjet dhe raporti i opozitës me të”, tha Vasili.
Opozita do të mbledhë të gjithë kontributet e saj, duke sjellë një tjetër KOP si ai i 2005-s që krijoi ish-kryeministri Berisha.
“Që të vlerësojmë historinë politike të opozitës së sotme dhe të ardhme dhe krijimin e një marrëdhënie institucionale me të gjitha autoritetet që kanë qenë në legjislaturat parlamentare, në ato qeverisëse por edhe ato në nivelet lokale”, tha Mediu.
“Për të përfshirë të gjithë ata që kanë qenë kontribuues gjatë gjithë kësaj periudhe, jo thjesht PD, por në gjithë harkun opozitar shqiptar”, tha Shehi.
Platforma e opozitës do të jetë alternative për nxjerrjen e vendit nga kriza përmes një tryeze dialogu me mazhorancën./ABC News Albania 24/7