Një karrige me flamurin e Mianmarit mbeti e zbrazët ndërsa nënpresidentja amerikane Kamala Harris iu drejtua udhëheqësve të Azisë Juglindore në takimin SHBA-ASEAN të organizuar nga Indonezia. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara nga Xhakarta, Indonezia është drejtuesja e radhës e Shoqatës së Shteteve të Azisë Juglindore.
Ndërsa nënpresidentja amerikane Kamala Harris u takua me drejtuesit e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore, një karrige e zbrazët me flamurin e Mianmarit sherbeu si simbol kujtese se ai vend duhet të kthehet në rrugën e demokracisë, një mesazh i theksuar nga zonja Harris.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë trysninë ndaj regjimit për t’i dhënë fund dhunës së tmerrshme, për të liruar të gjithë të ndaluarit padrejtësisht dhe për ta rivendosur Mianmarin në rrugën drejt demokracisë gjithëpërfshirëse”.
Në fillim të javës, udhëheqësit e ASEAN-it njoftuan se Mianmari do të përjashtohej nga marrja e kryesisë së radhës në vitin 2026, duke emëruar Filipinet. Junta ushtarake, e cila mori drejtimin e vendit pas grushtit të shtetit në vitin 2021, fajësohet për gjakdherdhjen e vazhdueshme.
Gjatë një takimi mes nënpresidentes Harris dhe presidentit indonezian Joko Widodo, udhëheqësit njoftuan planet për të thelluar marrëdhëniet mes dy vendeve në nivel “Partneriteti Gjithëpërfshirës Strategjik”.
“Si partner gjithëpërfshirës strategjik, pritet mbështetja e SHBA-së për suksesin e takimit të ASEAN-it, përfshirë sigurimin e rëndësisë së takimit të vendeve të Azisë Lindore”, tha Presidenti i Indonezisë Joko Widodo.
Vizita e zonjës Harris vjen mes thellimit të rivaliteteve të mprehta gjeopolitike dhe rritjes së tensioneve në rajon. Kryeministri kinez Li Qiang u takua me krerët e ASEAN-it në Xhakarta.
“Për të mbajtur nën kontroll dallimet, është thelbësore që të mos ketë anësi, të kundërshtohet konfrontimi në bllok, dhe t’i kundërvihemi një Lufte të Ftohtë të re. Dallimet dhe mosmarrëveshjet midis vendeve duhet të trajtohen siç duhet”, tha zoti Li Qiang.
Udhëheqësit e mbyllën ditën me një darkë në një park të qytetit, pavarësisht nga një rritje e smogut kohët e fundit në Xhakarta./VOA