Kryeministri Edi Rama u takua sot me ish-udhëheqësin e UÇK-së, Hashim Thaçi, i cili prej pesë vitesh po mbahet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Pas vizitës, Endrit Thaçi, djali i ish-kryeministrit, reagoi me falënderim dhe mirënjohje ndaj kryeministrit Rama, duke vlerësuar jo vetëm fjalët, por edhe veprimet e tij.
Thaçi i ka konsideruar ato një shembull të atdhedashurisë dhe përparimit.
“Faleminderit shumë Kryeministër Rama nga nana dhe unë. Fjalët por edhe veprat e juaja janë shndërruar në shembull të atdhedashurisë dhe përparimit. Ju na dëshmoni se bashkë jemi ma mirë”, shkruan ai.
Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se e ka gjetur Thaçin të qetë, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale.
Kryeministri e cilësoi mbajtjen e Thaçit dhe ish-liderëve të UÇK-së në paraburgim, “padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike”.
“Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartejdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë”, u shpreh Rama.

