Udhëheqësit arabë që morën pjesë në një takim të nivelit të lartë në Kajro të shtunën dënuan bombardimet izraelite të Gazës, ndërsa vendet evropiane thanë se civilët duhet të mbrohen.
Por në takim nuk kishte zyrtarë të lartë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara dhe nuk ka ndonjë marrëveshje për frenimin e dhunës.
Egjipti që e organizoi takimin tha se kishte shpresuar që pjesëmarrësit të bënin thirrje për paqe dhe që të rifillonin përpjekjet për një shtet palestinez.
Por takimi përfundoi pa një deklaratë të përbashkët nga udhëheqësit dhe ministrat e jashtëm. Diplomatët që morën pjesë në bisedime nuk kishin qenë optimistë për ndonjë përparim, ndërsa Izraeli bëhet gati për një ofensivë nga toka në Gazë me synimin e asgjësimit të grupit militant palestinez Hamas që sulmoi qytetet e tij më 7 tetor, duke shkaktoi vdekjen e 1,400 vetëve.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të shtunën se sulmet ajrore të Izraelit kishin shkaktuar vdekjen e të paktën 4,385 palestinezëve që nga sulmi i Hamasit.
Ndërsa shtetet arabe dhe myslimane kërkuan që t’i jepet menjëherë fund ofensivës së Izraelit, vendet perëndimore shprehën përgjithësisht objektiva më modeste, siç është ndihma humanitare për civilët.
Mbreti Abdullah i Jordanisë denoncoi atë që ai e quajti heshtje globale për sulmet e Izraelit.
“Mesazhi që bota arabe po dëgjon është se jetët e palestinezëve kanë më pak rëndësi se ato izraelite,” tha ai, duke shtuar se ishte i indinjuar nga aktet e dhunës kundër civilëve të pafajshëm në Gaza, Bregun Perëndimor dhe në Izrael.
Presidenti i autoritetit palestinez Mahmoud Abbas tha se palestinezët nuk do të zhvendosen ose dëbohen nga toka e tyre.
“Ne nuk do të largohemi, ne nuk do të largohemi,” tha ai gjatë takimit.
Franca bëri thirrje për një korridor humanitar në Gaza që sipas saj mund të çojë në një armëpushim. Britania dhe Gjermania i kërkuan ushtrisë izraelite të tregojë përmbajtje dhe Italia tha se është e rëndësishme të shmanget përshkallëzimi.
SHBA, aleati më i afërt i Izraelit dhe një faktor jetik në të gjitha përpjekjet e kaluara për paqe në rajon, dërgoi vetëm të ngarkuarin me punë të Kajros në takim, i cili nuk foli publikisht në takim.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se qëllimi kryesor i takimit ishte “të dëgjojmë njëri-tjetrin”. Megjithatë, “ne e kuptojmë se duhet të punojmë më shumë së bashku” për çështjet si situata humanitare, shmangia e një përshkallëzimi rajonal dhe një proces paqësor palestinezo-izraelit, shtoi ai.
Izraeli është zotuar ta asgjësojë grupin militant Hamas të mbështetur nga Irani “nga faqja e dheut” pas sulmit tronditës të 7 tetorit, më vdekjeprurësi i militantëve palestinezë ndaj Izraelit në historinë e tij 75-vjeçare.
Takimi kishte synonte diskutimin e rrugëve për parandalimin e një lufte më të gjerë rajonale. Por diplomatët e kishin të qartë se një marrëveshje publike ishte e vështirë për shkak të ndjeshmërisë rreth thirrjeve për një armëpushim, nëse duhej të përmendej ose jo sulmi i Hamasit apo e drejta e Izraelit për t’u mbrojtur.
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi tha se vendi i tij është kundër zhvendosjes së palestinezëve në rajonin e Sinait në Egjipt, duke shtuar se zgjidhja e vetme ishte një shtet i pavarur palestinez.
Egjipti i druhet pasigurive pranë kufirit me Gazën në verilindje të Sinait, ku është përballur në të kaluarën me një kryengritje islamike që arriti kulmin pas vitit 2013 dhe tani është shtypur përgjithësisht.
Jordania, ku jetojnë shumë refugjatë palestinezë ka frikë se një konflikt r më i gjerë do t’i jepte Izraelit mundësinë të dëbonte në masë palestinezët nga Bregu Perëndimor.
Mbreti Abdullah tha se zhvendosja e detyruar “është një krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar dhe një vijë e kuqe për të gjithë ne”.