Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se Shqipëria synon, që brenda vitit 2030 të kthehet nga një vend importues në një vend eksportues neto në energji.
“Pata rastin të informoj kolegët europianë dhe aleatët tanë strategjik, gjatë sesionit Ministerial, se Shqipëria synon brenda vitit 2030 të kthehet nga një vend importues në një vend eksportues neto, si dhe të ndajë me ta planet e rëndësishme të interkonjeksionit, ku përfshihet jo vetëm korridori VIII energjetik, por edhe korridori i quajtur Lindje-Perëndim që shtrihet mes Rumanisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Italisë. Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit nënujorë nga brigjet e Shqipërisë drejt Italisë është konsideruar nga të pranishmit si një investim i domosdoshëm për sigurinë energjetike të Europës Juglindore.”, tha ajo.
Më tej, Balluku theksoi se ndërtimi i linjës së interkonjeksionit nënujor nga brigjet e Shqipërisë drejt Italisë është konsideruar si një “investim i domosdoshëm për sigurinë energjetike të Europës Juglindore”.
Fjala e plotë:
Takimi i 6-të i Partneritetit për Bashkëpunimin Transatlantik në Energji shënon fillimin e një bashkëpunimi më të ngushtë mes Departamentit të Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe veçanërisht vendeve të Europës Qendrore dhe Jugore.
Sekretari i Energjisë, Chris Wright sot ka adresuar fjalën e tij me një vizion frymëzues i cili kishte në qendër sigurinë energjetike, bashkëpunimin transatlantik, por mbi të gjitha bashkërendimin e shteteve për të minimizuar impaktin e gazit rus në Europë.
Athina zyrtare ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme gjatë P-TEC 6 për hapjen e dyerve europiane ndaj gazit të lëngshëm amerikan, duke e kthyer rajonin në një pikë strategjike më rëndësi jetike për gjeopolitikën. Në fjalën e tij Sekretari Wright nënvizoi faktin se teknologjitë e reja, sidomos inteligjenca artificiale e aplikuar në fushën e energjetikës do të sillte shumë shpejt rezultate të jashtëzakonshme dhe zgjidhje të qëndrueshme për sektorin e energjisë në Europë. Në fjalën e tij, kryeministri Mitsotakis i cili përshëndeti P-TEC 6 njoftoi se për herë të parë në vitin 2024 Greqia arriti të kthehet në një vend eksportues neto.
Pata rastin të informoj kolegët europianë dhe aleatët tanë strategjik, gjatë sesionit Ministerial, se Shqipëria synon brenda vitit 2030 të kthehet nga një vend importues në një vend eksportues neto, si dhe të ndajë me ta planet e rëndësishme të interkonjeksionit, ku përfshihet jo vetëm korridori VIII energjetik, por edhe korridori i quajtur Lindje-Perëndim që shtrihet mes Rumanisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Italisë. Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit nënujorë nga brigjet e Shqipërisë drejt Italisë është konsideruar nga të pranishmit si një investim i domosdoshëm për sigurinë energjetike të Europës Juglindore.
Angazhimi konkret i Departamentit Amerikan të Energjisë në sektorin energjetik europian është shpresëdhënës dhe garantues i qëndrueshmërisë dhe mbi të gjitha i pavarësisë energjetike.
Një tjetër prezencë e rëndësishme këtu në P-TEC 6 në Athinë ishte Sekretari Amerikan i Punëve të Brendshme, Doug Burgum me të cilin pata kënaqësinë të prezantohem. Prezenca e tij tregon qartazi rolin e rëndësishëm që energjia luan në sigurinë botërore.


