Takimi Bushati – Kotzias, reagon PD

schedule14:38 - 21 Janar, 2018

schedule 14:38 - 21 Janar, 2018

Partia Demokratike ka reaguar përmes nënkryetarit të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Jashtme, Tritan Shehu, për takimet tre ditore mes ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ministrit për Punët e Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias.

“Dy herë u mbars mali, në Kretë dhe në Korçë dhe nuk polli as edhe një mi”, komenton Shehu në faqen e tij në rrjetin social Facebook.

Deputeti demokrat thotë se “pa u larguar nga aventurizmi politik edhe në diplomaci, pa u bërë të besueshëm për partnerët, nuk mund të arrihen marrëveshje të rëndësishme, jo vetëm me Greqinë, por me secilin nga ata”.

Tritan Shehu e mbyll komentin e tij në rrjetin social duke u shprehur: “Fatkeqësisht politikat, së paku aventureske të Rilindjes, e kanë larguar Shqipërine nga ai rol i saj shumë i rëndësishëm për ne e për rajonin, i humbur mbas vitit 2013. Le të shpresojmë e punojmë për kohë më të mira e produktive.”/abcnews.al