Takim për “Mini Shengen”, Rama-Zaev-Vuçiç: BE ka nevojë për ne, të forcojmë bashkë ekonominë

schedule15:14 - 29 Qershor, 2021

schedule 15:14 - 29 Qershor, 2021

“Vendet tona janë dhe do të jenë gjithmonë pjesë e Europës. Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Europian, po aq sa Bashkimi Europian ka nevojë për të.” kjo është një pjesë nga deklarata e përbashkët e kryeministrit Edi Rama, kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vucic dhe kryeministrit të Malit të Zi gjatë një takimi të sotëm për Shengenin Ballkanik.

Mes të tjerash në këtë deklaratë të përbashkët thuhet se dështimi i përsëritur i BE-së për të përmbushur premtimet e saj dhe paaftësia për të ecur përpara me hapjen e konferencave të para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është kundër vullnetit europian të vendeve tona dhe po aq, kundër interesave të vetë BE-së.

Më tej duke u ndalur tek Shengeni Ballkanik tre kryeministrat kanë deklaruar se  duan të shohim sa më shpejt të jetë e mundur se katër liritë e BE-së – lëvizja e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit – zbatohen në të gjithë rajonin.

Deklarata e përbashkët:

Ne u takuam sot për të diskutuar hapat e mëtejshëm përpara në bashkëpunimin tonë rajonal, si një instrument me rëndësi jetike për vendet tona, për Ballkanin Perëndimor, për Europën dhe perspektivën europiane në tërësi.

Vendet tona janë dhe do të jenë gjithmonë pjesë e Europës. Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimn Europian, po aq sa Bashkimi Europian ka nevojë për të.

Dështimi i përsëritur i BE-së për të përmbushur premtimet e saj dhe paaftësia për të ecur përpara me hapjen e konferencave të para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është kundër vullnetit europian të vendeve tona dhe po aq, kundër interesave të vetë BE-së.

Historia dhe e ardhmja jonë janë europiane dhe ne jetojmë në një rajon të rrethuar nga kufijtë e Bashkimit Europian. Në kontekstin sfidues të krijuar nga një status quo tashmë e gjatë e Bashkimit Europian kundrejt procesit tonë të integrimit në BE, ne mbetemi edhe më të përkushtuar në rrugën tonë të BE-së dhe në bashkëpunimin tonë rajonal.

Ne duam të shohim sa më shpejt të jetë e mundur se katër liritë e BE-së – lëvizja e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit – zbatohen në të gjithë rajonin. Dhe ne do të bëjmë gjithçka është në dorën tonë për të arritur këtë qëllim me fuqinë e shembullit tonë. Në këtë frymë, ne do të shprehim mbështetjen tonë të plotë për tregun e përbashkët rajonal në Samitin e Procesit të Berlinit të 5 korrikut.

Ne e dimë se vetëm duke punuar bashkërisht dhe duke nxitur bashkëpunimin rajonal në kuadrin e iniciativave të ndryshme rajonale –si Tregu i Përbashkët Rajonal, Shengeni Rajonal, Korsitë e Gjelbërta e më gjerë, Procesi i Berlinit – mund të sjellim rezultate të prekshme për qytetarët tanë. Si një rajon me rreth 18 milionë njerëz, ne mund të forcojmë së bashku ekonomitë tona, të rritim mirëqenien e njerëzve dhe të sjellim investime të mëdha, që përndryshe nuk do të ishin të mundshme për secilin prej nesh veç e veç.

Më 29 korrik, ne do të takohemi fizikisht në Shkup për të shqyrtuar progresin dhe për të nënshkruar mes tre vendeve tona marrëveshje që zbatojnë angazhimet e Samitit të Berlinit, si marrëveshja për bashkëpunimin dhe ndihmën në rast të katastrofave natyrore dhe ajo për lehtësimin e tregtisë, eksporteve dhe importeve në vendet tona. Ne i ftojmë dhe inkurajojmë kolegët tanë në rajon të nënshkruajnë dhe zbatojnë marrëveshje të ngjashme në mënyrë që vizioni i hapësirës së përbashkët politike dhe ekonomike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet një tregu të përbashkët, të bëhet pjesë e qenësishme e jetës së përditshme të qytetarëve tanë. Në këtë frymë, ne shpresojmë të gjallërojmë procesin e bashkëpunimit midis nesh, në të gjithë rajonin, dhe do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën për ta realizuar këtë.

Në dritën e vështirësive të shkaktuara nga vonesat në procesin e zgjerimit, ne besojmë se mund të identifikojmë akoma rrugë dhe sektorë të rinj të bashkëpunimit dhe instrumente financiarë, si dhe të forcojmë ato ekzistuese, në mënyrë që të rrisim kontributin tonë në Europë, marrëdhëniet tona me BE-në dhe të integrojmë rajonin gradualisht në Tregun e Vetëm Europian.

Kështu që ne vendosëm sot t’i kërkojmë Bashkimit Europian, që bashkë me Shtetet e Bashkuara, të hedhin një hap përpara me ne e të na mbështesin ne dhe kolegët tanë në të gjithë rajonin.
Ne synojmë të zhvillojmë projekte të shpejta në zbatim dhe që sjellin investime, me qëllim ruajtjen e mjedisit dhe rritjen e përdorimit në shkallë të gjerë të burimeve të ripërtëritshme. Kjo do të ishte pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së si dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Vendet tona kanë potencial të madh për rritje të qëndrueshme dhe zhvillim në këtë sektor. Po ashtu, ne kërkojmë mbështetje konkrete për të identifikuar ato projekte të cilat, në shkallë të gjerë, mund ta kthejnë rajonin tonë në një burim të energjisë së rinovueshme, në të mirë të qytetarëve tanë ashtu dhe të ardhmes së gjelbër të BE-së. Shpresojmë që të mund të raportojmë progres për projekte konkrete deri në Samitin e vjeshtës së BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Ne e dimë dhe e ritheksojmë rëndësinë që burimet e rajonit tone kanë për tranzicionin e gjelbër të Europës. Prandaj ne kërkojmë që Bashkimi Europian, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, të jenë pjesë e zhvillimit të atyre burimeve, duke ndihmuar kështu BE-në të arrijë objektivat e saj dhe duke tërhequr, në të njëjtën kohë, më shumë investime për të gjithë rajonin tonë e duke e bërë atë pjesë të tranzicionit të gjelbër europian.

Mirëqenia e popujve tanë dhe lidhjet ekonomike me BE-në do të forcohen, ndërsa ne integrohemi më mirë në zinxhirët europianë të prodhimit dhe furnizimit e kontribuojmë kështu në autonominë strategjike të BE. Për këtë qëllim, ne jemi gati të bëjmë pjesën tonë dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta kthyer këtë përpjekje në një forcë të përbashkët për të përballuar sfidat e së ardhmes, si një rajon i tërë i të gjashtëve.

Shqipëria është Europë. Maqedonia e Veriut është Europë. Serbia është Europë. Ballkani Perëndimor është Europë. Ne do të punojmë fort ta kthejmë këtë në një realitet të përditshëm. /abcnews.al/