Takim në Shkup mes Zaev dhe Hahn

schedule10:41 - 18 Prill, 2018

schedule 10:41 - 18 Prill, 2018

Një ditë pas rekomandimit për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian, eurokomisioneri Hahn është takuar në Shkup me kryeministrin maqedonas Zaev. Në konferencën e përbashkët për shtyp Hahn bëri apel që të vazhdojë implementimi i reformave.

Eurokomisioneri Johannes Hahn është takuar në Shkup me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, një ditë pas publikimit të progresraportit nga ana e Komisionit Europian ku Maqedonisë i është dhënë drita jeshile për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Zaev propozimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE e cilësoi si arsye të fortë për të vazhduar përpara.

Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë: “Ne jemi të përgatitur për një hap përpara. Propozimi i pastër për Maqedoninë është arsye e fortë për ne, për objektivat tona të vështira port ë arritshme. Qeveria e Maqedonisë, do të vazhdojë reformat në mënyrë energjike që në qershor të caktohet data për fillimin e bisedimeve. Jemi të vendosur që të vazhdojmë me reformat dhe do të përgatisim një plan të ri, që duhet të lidhet me zbatimin e vendimeve të deritanishme. Komisionerin Hahn e falënderova për mbështetjen dhe vlerësimin për Maqedoninë”.

Nga ana tjetër, eurokomisioneri Hahn vlerësoi se kohët të fundit Maqedonia ka bërë hapa të mëdha përpara dhe duhet të vazhdojë kështu, sidomos në disa nga çështjet më delikate. Hahn bëri apel që Maqedonia të fokusohet në implementimin e reformave.

Johannes Hahn, eurokomisioner: “Mendoj se keni filluar mirë dhe është mirë të vazhdoni kështu. Vendi juaj ka shumë talente dhe ju nuk duhet t’i humbisni ato. Dy muajt e fundit vendi ka qenë simbol i stabilitetit në rajon, ju keni qenë shembull për të gjithë rajnonin. Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe bisedimet me Greqinë janë shumë të rëndësishme. Ne do vazhdojnë t’ju përkrahim si gjithmonë por tani do ju mbështesim edhe më shumë pasi pamë rezultate”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!