Takaj: Superiorja, si kampionati i Ishujve Faroe! Nuk e lë Skënderbeun

schedule08:43 - 26 Janar, 2020

schedule 08:43 - 26 Janar, 2020

Ardjan Takaj, presidenti i Skënderbeut, ka folur gjerë e gjatë një natë më parë, në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport. Kreu i klubit korçar ka premtuar se do e respektojnë garën deri në fund, sikurse po bëjnë edhe Flamurtari e Luftëtari, që gjithashtu kanë probleme të rëndësishme.

Takaj tregon se Skënderbeu nuk i ka arritur rastësisht gjithë ato suksese: “Kam qenë i qartë kur kam marrë pjesën e futbollit. Ishim të qartë çfarë do të bënim e ku do të arrinim. Projekti ishte serioz dhe konkret: të ndërtonim një klub modern. Deri para dy vitesh e shndërruam Skënderbeun në ekip europian e me standarde të larta.

Rezultatet erdhën, nuk i arritëm vitin e parë. Testi që bëmë kur arritëm në play-off, kur u eliminuam nga Çerno More, më bindi se mund të arrinim me rezultate. Kjo pasi pamë nivelin e ekipeve kundërshtare në Europa League. Ishim të bindur ku do të arrinim dhe arritëm aty ku ne deshëm”.

Premtimi i presidentit të bardhekuqve është i qartë dhe në Korçë mund të qetësohen, edhe pse shpesh emri i tij është lidhur me klube si Dinamo, Tirana, Vllaznia e Tomori. “Jam futur në futboll me Skënderbeun dhe do ta mbyll me Skënderbeun”, thotë Takaj, i cili pret vendimin e Gjykatës Federale në Zvicër, që Skënderbeut t’i hiqet dënimi i UEFA-s për të mos marrë pjesë në kupat e Europës.

 

KAMPIONATI AKTUAL – “Ky kampionat këtë vit është i dobët. Bukuria vjen për shkak të rivalitetit, pasi ekipet janë aty-aty. Problemi është se nuk gjeneron të ardhura. Vendet e para duhet të shkojnë e pretendojnë grupet e Europës dhe për këtë duhet të kenë shpenzime të mëdha e të kenë lojtarë cilësorë. Atë bënte Skënderbeu para 2-3 vitesh. Siguronte të ardhura të mëdha e blinte lojtarë nga ekipe të mesit. Kemi marrë lojtarë nga Laçi, Bylis, Kukësi dhe Besa. Kështu ka edhe shpërndarje të ardhurash”.

NDIKIMI I DËNIMIT – “Dënimi ka dëmtuar shumë jo vetëm Skënderbeun, por të gjithë futbollistët shqiptarë. Atëherë ka shkuar vlera deri në 1 milion e 1 milion e ca për lojtarë të kampionatit, shifra që nuk janë parë deri tani. Tani janë shumë më të ulëta, nuk janë dinjitoze si për investimet, ashtu edhe për lojtarët. Të shesësh lojtarë për 100 mijë euro, 150 mijë euro, është një shumë e vogël, që nuk është buxhet i mirë për klubin. Ka interes për Bregun, Krasniqin, Gripshin e Pëllumbin. Po mundohemi të gjejmë kampionatet, por edhe shifra dinjitoze e jo qesharake. Ne si klub quhemi të dështuar, nëse nuk arrijmë të shesim lojtarë”.

NIVELI I FUTBOLLIT SHQIPTAR – “Jemi askush aktualisht, jemi në nivelin e Ishujve Faroe. Këtë vit nuk kaluam asnjë tur. Me këtë nivel, që po shoh, nuk kemi shpresa që të prodhojmë të ardhura. Investohet për të marrë pjesë në Europë, por si do të shkosh në Europë? Atje shkohet me cilësi dhe kualitete, për të marrë pjesë e siguruar të ardhura, për të kaluar ture.

Grupet e Champions janë shumë të mëdha për ne. Kjo të siguron disa financa dhe sigurohet cilësia e atyre që investojnë për sportin. Nëse ulim pagesat, çfarë lojtarësh cilësorë do të marrim nga tregu europian. Nëse mendojmë se me 1500 euro e 2000 euro marrim cilësi, atëherë ky është një gabim”, deklaron Takaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!