Takaj nuk duron: Qeveria na injoron prej 30 vitesh, ta mbyllim kampionatin!

schedule13:39 - 11 Prill, 2020

schedule 13:39 - 11 Prill, 2020

Ardian Takaj i thotë të gjitha troç. Le të mbyllet kampionati, pasi kështu nuk mund të vazhdohet dot. Kreu i Skënderbeut e ka edhe me qeverinë, që nuk e merr mundimin të ndihmojë sadopak. “Qeveria injoroi të gjithë futbollin me atë që bëri, por kjo ishte diçka që pritej. U bënë 30 vite injorim për këtë sport në Shqipëri. Këtë rast nuk e shikon askund në Europë dhe më gjerë. Keni parë ju ndonjë shtet tjetër që të mos e ndihmojë futbollin?!

Po pse, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë shtete më të forta se n?! Ato e ndihmojnë sportin, ndërsa ne nuk bëjmë dot as “vezën” e Kosovës. Nuk vazhdohet më kështu, shteti na mashtroi edhe për Ligjin e Sportit. Na thanë do e miratojnë dhe si përfundim nuk e bënë as këtë. Pse duhet të luajmë në këto kushte, kur injorohemi totalisht nga shteti ynë?!”, shprehet Takaj në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”.

Më tej ai thekson se e kanë të pamundur të vazhdojnë të paguajnë futbollistët. “Më janë bllokuar të gjitha bizneset. Mirë shteti që nuk na ndihmon, por në çdo aspekt bëhet pengesë. Për çfarë të vazhdoj unë, kur futbolli futet në kolaps dhe nuk dimë se çfarë do të bëhet. Askush se di sa do të zgjasë kjo situatë! Atëherë është më e ndershme ta mbyllin këtë futboll fare.

Ta ndalojnë kampionatin, ta mbyllin fare me këtë renditje që është. Për çfarë të luajmë në qershor dhe korrik, apo të shohim ekipe që zvarriten në fushë dhe luajnë me të rinjtë? Kjo është skamje. Nuk e di çfarë mendojnë të tjerët, por për mua është një situatë e pashpresë. Për kë po luajmë ne?!”, thotë Takaj, i cii falënderon FSHF-në për ndihmën e dhënë së fundmi, por atë e shqetëson ajo që do të ndodhë në vazhdim.

“Më shqetëson e ardhmja. Nuk mbahen klubet me 5 milionë lekë në muaj…Sa do të vazhdojë kjo, ja na ndihmoi FSHF edhe një muaj, po më pas?! E përsëris, futbolli është në kolaps dhe tashmë një problem që shtohet janë kontratat e lojtarëve. Shpenzimet do të rriten dhe nuk e dimë se çfarë do të bëhet. Kemi futbollistë të izoluar, por sa do t’i mbajmë edhe ata… Janë qira, rroga, ushqim etj”, përfundon Takaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!