Skënderbeu triumfoi kundër Partizanit, duke i befasuar të gjithë. Presidenti i korçarëve, pas këtij dueli rikthehet të flasë dhe komenton fillimisht triumfin kundër “Demave të kuq”. “Këta çunat e rinj këtë kanë, bëjnë ndeshje të bukura, bëjnë edhe ndeshje të dobëta.
Nuk janë të qëndrueshëm gjatë gjithë kampionatit. Megjithatë kjo ishte një fitore që është një sinjal shprese për mbijetesën”, tha fillimisht Takaj, i cili më pas ngacmohet duke u pyetur se si është të jesh në këto kushte, kur Skënderbeu i tij në dekadën e fundit ishte mësuar të luftonte për titull.
“Nuk e di… Niveli këtu poshtë është më i vështirë, ka probleme shumë më të mëdha, probleme arbitrimi… Edhe duhet ta përballosh ndryshe”, shtoi presidenti i Skënderbeut. I pyetur nëse e priste këtë fitore ndaj Partizanit, ai deklaroi:
“Skënderbeu është ekip i ri dhe mund të fitojë kudo. Nuk është çudi që fitoi këtu, mund të fitojë gjithandej. Këtë problem kanë këta lojtarët e rinj, sepse luajnë dhe aty kur duhet të fitojnë nuk e bëjnë dhe aty ku nuk e pret fitojnë”.
Në fund, në lidhje me objektivin mbijetesë, Takaj u shpreh: “Normalisht nuk kemi hequr dorë, janë edhe 13 ndeshje të tjera. Rivalët nuk janë larg. Nëse djemtë janë seriozë dhe luajnë, normalisht objektivi mbijetesë është i arritshëm”. / abcnews.al