Takaj konfirmon Memellin, trajneri: Sezonin tjetër rivalizojmë ekipet e kreut

schedule16:53 - 24 Maj, 2021

schedule 16:53 - 24 Maj, 2021

Migen Memelli konfirmohet trajner te Skënderbeu edhe për sezonin e ardhshëm. Trajneri i korçarëve e ka shprehur diçka të tillë në konferencën e sotme për shtyp. Ai ka folur për bisedën me presidentin Takaj, planin për të qenë rival me ekipet e kreut dhe në fund ndalet edhe te ndeshja e fundit e kampionatit, kundër Tiranës.

“Së pari, para se të nisni pyetjet, dua të falënderoj drejtuesit e klubit, që më dhanë mundësinë të drejtoj Skënderbeun në këto katër muaj. Pa diskutim edhe futbollistët në veçanti, pasi janë paraqitur mirë pavarësisht vuajtjeve të pësuara në këtë kampionat.

Ju falënderoj edhe ju, që keni qenë të duruar dhe jeni pjesë e rëndësishme për futbollin. I falënderoj edhe tifozët për mbështetjen e dhënë, kanë duruar dhe kanë qenë krah futbollistëve. Dhe e fundit, vitin tjetër do ta nisin kampionatin bashkë. kjo vjen pas një bisede që kam pasur me presidentin. Nëse ka besim, ka edhe një linjë të përbashkët për atë që kemi bërë”.

“Kemi bërë një bisedë të shkurtër, detajet do të zbulohen në vazhdim. Do i bëjmë gjëra në mënyrë më të mirë të mundshme. Vitin tjetër do konkurrojmë fort, me skuadrat që i kemi ndalur, duke nisur me Partizanin, Kukësin, Teutën, Vllazninë. Do jemi rivale e denjë e kampionatit. Baza e lojtarëve është. Kush do afrohet do zbulohet në javët e ardhshme. Nuk po flasim për titull, por që do të jetë konkurrente. Pse të mos jetë në 5-6 më të mirat e kampionatit”.

“Më thanë ku po shkon, pse po e merr këtë vendim. E kam thënë që në fillim, më bindën futbollistët, janë lojtarë me cilësi dhe që mund të rriten. Kemi punuar fort. Vendimtar ka qenë besimi, duke e parë njëri-tjetrin në sy. Është i rëndësishëm që të ketë besim të stafit te lojtarët”.

“Xhentellmenët nuk bëjnë asnjëherë kontrata, ata shtrëngojnë duart. Nuk më mban kontrata te Skënderbeu. Nuk e shikoj si një profesion për të fituar para, edhe pse janë të rëndësishme. Kryesorja janë emocionet që duhet t’u japim tifozëve. Primare është ajo që thashë.

Tirana është skuadër që ka pasur luhatje në këtë kampionat. Janë paraqitur mirë me Nevilin dhe Orgesin. ka qenë çështje fati që nuk kanë ecur. Në këtë ndeshje do të bëjmë më të mirë, me lojtarët që kanë pasur pak hapësira, që të tregojnë vlerat. Të mbarojmë me Tiranën, pastaj flasim për Vllazninë. Do e respektojmë kampionatin deri në fund”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!