Tajvani raporton për patrullime të reja të ushtrisë kineze afër ishullit

schedule08:56 - 14 Shkurt, 2024

schedule 08:56 - 14 Shkurt, 2024

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha se ka detektuar 14 avionë të forcave ajrore kineze që operonin rreth Tajvanin dhe më 14 shkurt kryen “patrulla të përbashkëta të gatishmërisë luftarake” me luftanijet kineze.

Kina, që e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj, në katër vjetët e fundit rregullisht dërgon avionë luftarakë dhe luftanije përreth ishullit, që thotë se një ditë do të jetë nën kontrollin e Pekinit, shkruan REL.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Tajvanit, patrullimet kineze nisën rreth orës 13:00, sipas kohës lokale, të së mërkurës. Ky institucion tha se ka detektuar 14 avionë luftarakë, përfshirë edhe ata të llojit J-16, si dhe dronë që operuan në pjesën veriore dhe jugore të Tajvanit.

Nëntë prej këtyre fluturakeve kaluan vijën në Ngushticën e Tajvanit apo zonave pranë dhe së bashku me luftanijet e Kinës kryen “patrullime të përbashkëta të përgatitjes ushtarake”, tha Ministria tajvaneze, duke shtuar se dërgoi forcat e saj për të monitoruar situatën.

Tajvani vazhdimisht ankohet se luftanijet dhe avionët e Kinës kalojnë vijën në Ngushticën e Tajvanit, që është një kufi jozyrtar mes dy palëve. Por, Kina thotë se një vijë e tillë ndarëse nuk ekziston.