Udhëheqësja e Tajvanit, tha se kërcënimi nga Pekini po rritet “çdo ditë”, pasi konfirmoi për herë të parë praninë e trupave amerikanë në tokën tajvaneze. Duke folur për CNN në një intervistë ekskluzive të martën, presidentja Tsai Ing-wen tha se Tajvani, i cili ndodhet më pak se 200 kilometra larg nga bregu juglindor i Kinës, ishte një “fener” i demokracisë që duhej mbrojtur për të ruajtur besimin e vlerave demokratike në mbarë botën.
Tajvani dhe Kina kontinentale janë qeverisur më vete që kur nacionalistët u tërhoqën në Tajvan në fund të luftës civile kineze më shumë se 70 vite më parë. Tajvani është tani një demokraci në lulëzim, por Partia Komuniste Kineze (CCP) në pushtet vazhdon ta shohë ishullin si një pjesë të pandashme të territorit të tij – pavarësisht se nuk e ka kontrolluar kurrë.
Sot, marrëdhëniet midis Taipeit dhe Pekinit janë në pikën më të ulët në dekada. Në fillim të këtij muaji, ushtria e Kinës dërgoi një numër rekord avionësh luftarakë rreth Tajvanit. Shfaqjet e forcës janë pjesërisht rezultat i forcimit të marrëdhënieve midis Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e Donald Trump dhe Joe Biden, raporton abcnews.al
Shitjet e armëve dhe vizitat nga profilet e larta të zyrtarëve amerikanë kanë forcuar pozitën ndërkombëtare të Tajvanit dhe kanë antagonizuar Pekinin. Në intervistën e saj me CNN, Tsai u bë presidentja e parë e Tajvanit në dekada që konfirmoi praninë e trupave amerikane në ishull për qëllime stërvitore.
Ushtria amerikane postoi dhe më pas fshiu një video në fillim të vitit 2020 që tregonte Forcat Speciale të Ushtrisë Amerikane duke trajnuar ushtarë në Tajvan. Në nëntor 2020, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit njoftoi dhe më pas mohoi për mediat lokale se trupat amerikane po trajnonin ushtarë vendas në ishull.
Tsai nuk ka treguar saktësisht se sa ushtarë amerikanë ndodhen në ishull aktualisht, por tha: “Ne kemi një gamë të gjerë bashkëpunimi me SHBA-në me synim rritjen e aftësive tona mbrojtëse.”
Në Ditën Kombëtare të Tajvanit më 10 tetor, në përgjigje të rritjes së veprimit ushtarak kinez, presidentja Tsai tha se Tajvani nuk do të ndiqte “rrugën që Kina kishte përcaktuar për të”.
“Nuk duhet të ketë absolutisht asnjë iluzion se populli tajvanez do të përkulet para presionit,” tha ajo.
Duke folur për CNN të martën, Tsai u bëri thirrje partnerëve demokratikë rajonalë, duke përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe Australinë, të mbështesin Tajvanin. “Kur regjimet autoritare demonstrojnë tendenca ekspansioniste, vendet demokratike duhet të bashkohen për të dalë kundër tyre. Tajvani është në vijën e parë,” tha ajo.
Por Tsai shtoi se nuk do të hidhte poshtë mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve me Pekinin, duke thënë se do të pranonte të bisedonte me udhëheqësin kinez Xi, nëse ai do të ishte i gatshëm.
/abcnews.al