Tajlandë, nxirren 4 fëmijë të tjerë nga shpella/ Nesër shpëtohen 4 të tjerët dhe trajneri

schedule15:20 - 9 Korrik, 2018

schedule 15:20 - 9 Korrik, 2018

Në ditën e dytë të operacioneve, zhytësit kanë shpëtuar dhe 4 fëmijë të tjerë në shpellën “Tham Luang” në Tajlandë. Ndërsa 4 fëmijët e tjerë dhe trajneri i tyre do të nxirren nesër.

Në Tajlandë ka përfunduar dhe dita e dytë e operacioneve për shpëtimin e fëmijëve dhe trajnerit të bllokuar prej më shumë se dy javëve në shpellën “Tham Luang”. Gjatë së hënës është bërë e mundur nxjerrja e 4 fëmijëve, duke e çuar në 8 numrin e personave të shpëtuar. Pasi dolën nga shpella, ata janë dërguar menjëherë për në spital dhe po marrin trajtimin mjeksor të nevojshëm.

Të dielën u nxorren katër fëmijët e parë. Edhe ata u transportuan menjëherë në spitalin më të afërt. Fëmijët e shpëtuar nuk janë në rrezik për jetën, megjithatë qëndrimi në shpellë u ka shkaktuar probleme shëndetësore.

Futbollistët e vegjël qëndruan në shpellë për më shumë se dy javë. Rreth 90 zhytës, prej të cilëve 50 të huaj, po marrin pjesë në këto operacione shpëtimi. Ndërkohë, operacionet janë ndërlikuar ndjeshëm pasi kohëve të fundit ka pasur rreshje të dendura shiu që kanë rritur nivelin e ujit në shpellë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!