Pas eksperiencës së hidhur që i mbajti për shumë ditë të bllokuar në një shpellë nënujore, 11 futbollistët e vegjël tajlandezë kanë nisur një aventurë të re, në fund të të cilës do të kurorëzohen me titullin simbolik të murgut budist, që është dhe feja kryesore e Tajlandës.
11 futbollistët e vegjël, që rreth dy javë më parë i shpëtuan bllokimit në një shpellë nënujore të Tajlandës, kanë nisur procesin e budizmit. Bëhet fjalë për një traditë tailandeze e aplikuar për djemtë që kanë kaluar eksperienca të vështira e që në fund do t’u japë atyre statusin e murgut.
Djemtë do të jetojnë për 9 ditë në një tempull budist, në shenjë respekti për zhytësit e marinës tailandeze që i shpëtuan, njëri prej të cilëve humbi jetën gjatë operacionit. Sidoqoftë, në fund djemtë do të marrin statusin e fillestarit dhe vetëm trajneri i tyre atë të murgut. Budizmi është feja kryesore e Tajlandës dhe në të aderon mbi 90 për qind e popullsisë.
Njëri prej lojtarëve është i krishterë dhe rrjedhimisht nuk do ta ndjekë procesin. Më 23 qershor, 12 djemtë e ekipit “Derrat e Egër” dhe trajneri i tyre 25-vjeçar nisën një ekskursion për eksplorimin e shpellave nënujore. Të njëjtën ditë ata mbetën të bllokuar dhe mbijetuan për 9 ditë në mes të ujit, derisa u lokalizuan dhe u arritën nga zhytësit.
Operacioni për shpëtimin e tyre mblodhi specialistë nga e gjithë bota dhe përfundoi më 10 korrik, kur grupi i fundit i fëmijëve doli në sipërfaqe. Lojtarët, të moshave nga 11 në 16 vjeç, lanë spitalin javën e kaluar dhe pas pak ditësh të kaluara me familjet do të qëndrojnë sërish larg tyre, por këtë herë për mirë./abcnews.al