Tahiri: Thaçi po tërhiqet nga ideja e korrigjimit të kufijve

schedule12:13 - 30 October, 2018

schedule12:13 - 30 October, 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur të tërhiqet nga ideja e tij për korrigjim kufijsh me Serbinë. Kështu është shprehur në një intervistë për mediat kosovare ish-kryesuesja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri.

Ish-kryesuesja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri, u shpreh se ishte befasuar fillimisht nga ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjim kufijsh mes dy vendeve. Ajo shtoi se Kosova është shpallur shtet në kufijtë ekzistues dhe se askush nuk guxon t’i prekë kufijtë e saj.

Në një intervistë për Televizionin Dukagjini në Kosovë, ajo theksoi se ideja për ndryshimin e kufijve nuk është ide e Thaçit, por është ide e Serbisë, e përkrahur nga Rusia.

Sipas saj, Serbia edhe pse e ka humbur luftën në Kosovë, asnjëherë nuk është pajtuar që nuk do të mund ta shfrytëzojë Trepçën apo Ujmanin. Tahiri tha se ende nuk e kishte kuptuar se si një ide e tillë e mbështetur nga gjeopolitika ruse të shqiptohet nga kreu i shtetit kosovar.

Tahiri u shpreh se Thaçi ka mbetur vetëm në këtë ide dhe se ka shenja se ka filluar të tërhiqet nga kjo ide. Duke mbetur te kjo temë ajo deklaroi se është pikërish ideja për ndryshim kufijsh që ka bllokuar aktualisht dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit./abcnews.al