Ta bëjmë Amerikën si Saliu

schedule19:28 - 27 Janar, 2023

schedule 19:28 - 27 Janar, 2023

Nga Frrok Çupi

Ajo kohë e shkuar kur u hodh parulla ‘ta bëjmë Shqipërinë si…’ si qytetërimi modern, mbeti e shkuar. Tani ja ku jemi, botën moderne këta duan ta bëjnë si veten. Rasti më i fundit është ky tregimi me ‘agjentin e FBI’. Po të mos ishte shfaqur ky agjent, në punën e në pensionin e vet; këta do të kishin tërhequr një akt tjetër që e ‘turpëron’ Amerikën. Ç’akte, për shembull?

Të gjithë e mbajnë mend:

Në mes të vitit 2020, policia vrau afro- amerikanin George Floyd në Mineapolis. Në atë ngjarje do të kishin hyrë dhe do t’i kishin thënë Amerikës: ‘Eeej, të pamë keq!’. . Pas vrasjes në shumë shtete të Amerikës plasën protestat që i detyruan autoritetet ‘të vendosin shtetrrethimin’. Edhe këtë akt të njohur botërisht këta do ta kishin tërhequr që nga koha e tre viteve të shkuar për t’i thënë Amerikës se ‘jo vetëm unë Saliu, por edhe ti Amerikë minon demokracinë’.

Erdhi në shteg rasti i agjentit të FBI, Charles McGonigal, që paska kryer akte që ‘bien ndesh me demokracinë në PD’, dhe këta luajtën kartën e tyre më me vlerë se: ‘Jam i pistë unë?… Edhe ti si unë”.

Këtë kartë po e luajnë brenda vendit në Shqipëri, e tash guxuan edhe me Amerikën. Në Shqipëri…, e keni vënë re?, sa herë flitet për korrupsion apo për vjedhje, apo për krime…, këta të Saliut venë menjëherë emrin e Ramës apo të qeverisë së tij. Në këtë kurth ka rënë media, e cila ka adoptuar pyetje standard. Sapo flitet për djegiet e njerëzve në Gërdec, sapo flitet për vjedhjet shtetërore, sapo tërhiqet historia e vrasjeve në 21 Janarit…, menjëherë gazetari të pyet: ‘Po Edi Rama a do të tërhiqet?’. Hane Shan e Hane Bagdad!

Kësaj here, me rastin e agjentit të FBI në Nju Jork, që i kishte marrë borxh ca para një miku shqiptar etnik, këta sulmuan me të njëjtin slogan: ‘Edhe Amerika si Saliu, ç’ka më të mirë..”.

Lëshimi i sloganit erdhi, fillimisht, i kamufluar, duke sulmuar Edi Ramën si ‘shëmbëlltyrë’ të Amerikës. Qysh tani e dinë se Edi Rama nuk ka asnjë lidhje, aq më pak përgjegjësi, për çfarë ndodhi në zyrat e FBI të Nju Jorkut, por këta e sulmojnë për të thyer bedenat e kalasë ku- sipas tyre- mbështillet Amerika. Amerika dhe Rama janë dy armiqtë kryesorë të Saliut e saliistëve në Tiranë; po thyen njërin, kanë thyer edhe tjetrin.

Se pse, vallë, janë ‘dy armiqtë kryesorë’ shpjegohet me faktin se vetëm nën aleancën shtetërore mes Shqipërisë e Amerikës është garantuar stabiliteti i vendit dhe zhvillimi i shtetit drejt modernizimit.
Kjo i tmerron; këta e duan edhe Amerikën si vetë Saliun, dhe Shqipërinë si në çorbën e Saliut.

‘Si Saliun’, çfarë do të thotë?

Do të thotë, me që jemi në këtë pikë, që një zyrtar në pension i FBI t’i japë fytyrën dhe tonin shtetit Amerikan. Kjo ka ndodhur e ndodh në gjithë kolonën berishiste. Një agjent i shërbimit sekret ishte që u dënua nga gjykata për vrasjen e Remzi Hoxhës, hero i kombit në Kosovë- dhe këtë njeri Berisha e emëroi në post të lartë shtetëror. Ai i mjeri shkonte e vinte në zyrë i rrethuar nga policia e burgjeve.

Zyrtarët e Gardës dhe të Policisë vranë katër dëshmorë në bulevard dhe pastaj e fshehën vrasjen.
Zyrtarët e Prokurorisë u përzunë me thupër thane prej vendit të ngjarjes…
Ky është lloji i Saliut dhe kështu e ‘do Amerikën’.

Saliu e të tijtë e duan Amerikën ‘lesh arapi’, siç bëri shtetin tonë Berisha, një katrahurë.
Tani që këta lëshuan lajmin se ‘në Amerikë ndodhin këto, që marrin para për të zhdukur PD-në tonë’, berishistët po mbjellin në publik edhe dyshimin e madh: ‘Eh, si u bë bota; Amerika nuk i ka punët mirë për vete!, pëshpërisin njerëzit e trullosur.

Këta e dinë Amerikën një vogëlsirë, që vjedh si Saliu, vret popullin e vet si Saliu, shpif e mashtron si Saliu, rrihet në rrugë si Saliu, anakronik e tribal si Saliu, minon shtetin dhe demokracinë- si Saliu, shtyn fëmijë e familje në vjedhje… Këtu do të jemi e të shikojmë: Saliu me të tijtë po shkojnë drejt marrëzisë së hapur sa të dalin nëpër protesta me sloganin; “Amerika nuk është më e mirë se unë, hajduti!’

Ky është qëllimi i këtij sulmi kundër Amerikës që kanë nisur këta trutharë.
Vetëm te kjo Amerikë dhe ky qytetërim Perëndimor këta e shikojnë fundin e tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!