Sytë nga CAS dhe Serie A, problemet e Shqipërisë së Rejës para dueleve vendimtare

schedule18:19 - 25 Gusht, 2021

schedule 18:19 - 25 Gusht, 2021

Shpejt do të rinisë udhëtimi në eliminatoret e Botërorit dhe problemet nuk mungojnë. Kombëtarja shqiptare ka disa lojtarë të rëndësishëm, të cilët nuk po aktivizohen në ekipet e tyre të klubeve.

Problemi numër 1 ka të bëjë me portën. Dy alternativat kryesore, Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha nuk janë aktivizuar në këtë fillim sezoni. Berisha kaloi tek Torino pasi shkëlqeu me Spal sezonin e kaluar në Serinë B, por pavarësisht se u ngjit në A, është zgjedhja numër 2.

Strakosha, ndërkaq, nuk ishte në ndeshjen e parë në elitë me Lazion në fushën e Empolit, pasi trajneri Sarri ka zgjedhur titullar Reinën. Portieri kuqezi është aktivizuar vetëm pak herë në ndeshjet përgatitore gjatë verës dhe duket se kjo hierarki nuk do të ndryshojë.

Të paktën për Lazion luan vazhdimisht mbrojtësi Elseid Hysaj. Një mungesë e rëndësishme pritet të jetë ajo e Ermir Lenjanit në krahun e majtë, pasi futbollisti me origjinë nga Kosova pësoi dëmtim në ndeshjen e fundit të Superligës së Zvicrës, që Grasshoppers humbi 1-2 me Zurich.

Mëkat, sepse Lenjani ishte në formë duke dhënë asist goli një ndeshje më parë, ndërkohë në formë është edhe kapiteni i Grasshoppers, Amir Abrashi.

Problemeve me dëmtimet i shtohet edhe mbrojtësi Veseli i Salernitana, gjithashtu në Serinë A italiane. Shpresa e madhe është që Gjykata Sportive në Lozanë të Zvicrës të lejojë Nedim Bajramin që të luajë me Shqipërinë. Përgjigja e gjyqit pritet deri në fund të gushtit.

Trajneri Reja ka lajme të mira lidhur me fazën ofensive. Sokol Cikalleshi ka shënuar dy herë radhazi në Superligën turke për Konyaspor, duke i dhënë fitoren e ekipit të tij. Endri Çekiçi, një mesfushor sulmues, shënoi gjithashtu gol dhe është në formë.

Rey Manaj, ndërkaq, vërtetë nuk ka luajtur në fillimin e LaLiga për Barcelonën, por ishte shumë i dalluar në fazën përgatitore duke shënuar 4 gola. Kombëtarja luan tre ndeshje eliminatore të Botërorit, më 2 shtator në Poloni, më 5 shtator me Hungarinë dhe me 8 shtator ndaj San Marinos në “Elbasan Arena”. /abcnews.al