Sytë e Kremlinit, spiunazhi rus në Ballkan!

schedule20:32 - 3 Shkurt, 2021

schedule 20:32 - 3 Shkurt, 2021

Janë një varg skandalesh spiunimi në Ballkan që përfshijnë qytetarë rusë gjatë viteve të fundit. Nuk është sekret që rajoni ka qenë prej kohësh një skenë e rëndësishme për shërbimet e sigurisë së Kremlinit.

Megjithëse Rusia nuk ka trupa në terren, ajo ka zhvilluar një luftë kundër Perëndimit dhe ndikimit të tij në Ballkan me mjete të tjera, që nga propaganda dhe dezinformimi deri tek ndihma për grupet nacionaliste, të djathtën ekstreme, e deri tek vrasjet e synuara.

Në tetor 2016, autoritetet malazeze zbuluan një komplot të kurdisur nga ultranacionalistët serbë dhe oficerë të sigurisë për të përmbysur qeverinë e presidentit Gjukanovic.

Sipas prokurorëve, ata vepruan me dy agjentë të GRU-së, Eduard Shirokov dhe Vladimir Popov, emri i vërtetë i të cilit është Vladimir Moiseev.

Agjentët rusë u përpoqën gjithashtu të dëmtonin përpjekjet e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre të gjatë për emrin.

Në korrik 2018, javë pasi u nënshkrua Marrëveshja historike e Prespës për zgjidhjen e çështjes, Athina dëboi dy diplomatë rusë për nxitje të kundërshtimit kundër marrëveshjes në rajonet veriore.

Masa greke erdhi pavarësisht nga fakti që kryeministri Alexis Tsipras kishte refuzuar të bënte të njëjtën gjë si reagim ndaj çështjes Skripal më parë.

Në të njëjtën kohë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, drejtoi gishtin drejt një biznesmeni greko-rus për pagimin e nacionalistëve maqedonas për të kundërshtuar marrëveshjen e Prespës. Spiunët rusë kanë nxitur telashe edhe në Serbi, një partner i ngushtë i Moskës.

Në nëntor 2019, Presidenti Aleksandër Vuçiç akuzoi një ish-ndihmës atashe ushtarak në ambasadën ruse për dhënie ryshfeti një oficeri në pension për të marrë informacion konfidencial.

Ai u detyrua të flasë publikisht për këtë pasi një video e takimit u postua në YouTube dhe shkaktoi zemërim në mesin e publikut serb.

Skandalet e përsëritura të spiunazhit, megjithatë, nuk duket se kanë ndikuar shumë në disa vende të rajonit të cilat kanë marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Në shkurt 2019, disa muaj para se të zgjidhej kryeministër i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis udhëtoi në Moskë për të takuar një numër zyrtarësh të nivelit të lartë rus dhe për të shprehur mbështetjen e tij për lidhjet e ngushta dypalëshe.

Më pas, në nëntor të vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut mbajti një forum të përbashkët biznesi me Rusinë, të kryesuar nga Zaev dhe Aleksei Gruzdev, zëvendësministri rus i industrisë dhe tregtisë.

Dhe më pas, kryeministri bullgar Borisov dhe presidenti Vuçiç i Serbisë ishin krah për krah me presidentin rus Vladimir Putin në përurimin e tubacionit të gazit natyror TurkStream në Turqi.

Megjithatë, Rusia ka shkuar shumë larg në taktikat e saj përçarëse, me GRU-në, duke bërë dëm të madh ndërkohë që shtetet perëndimore inkurajojnë përpjekjet e vendeve të rajonit për t’i rezistuar infiltrimit rus, që të paktën ka çuar në një mbikëqyrje më të mëdha të veprimtarisë së tyre.

Në janar të këtij viti, Shqipëria dëboi një diplomat rus për shkelje të rregullave që synojnë ndalimin e përhapjes së koronavirusit.

Qeveria shqiptare e shpalli Aleksei Krivosheev “persona non grata” dhe i kërkoi atij të largohej nga vendi brenda 72 orësh, për shkak të shkeljeve “të përsëritura” të kufizimeve të pandemisë nga diplomati rus që nga prilli i vitit 2020.

“Sfidimi i përsëritur i rregullave dhe hapave mbrojtës mbi pandeminë dhe mosrespektimi i shqetësimeve të institucioneve shtetërore shqiptare në lidhje me këtë, nuk mund të justifikohen dhe tolerohen më,” tha ministria e jashtme në një deklaratë. Por ky nuk ishte rasti i parë.

Në vitin 2018, Shqipëria dëboi dy diplomatë rusë, duke thënë se aktivitetet e tyre nuk ishin në përputhje me statusin e tyre diplomatik. Tirana rifilloi marrëdhëniet diplomatike me Moskën në 1991, 30 vjet pasi regjimi i atëhershëm komunist i vendit ndërpreu lidhjet e ngushta më parë me Bashkimin Sovjetik.

Shqipëria u bashkua me Mbretërinë e Bashkuar, BE, SH.B.A. dhe Kanada në një përgjigje të koordinuar ndaj helmimit me agjent nervor të Sergei Skripal, një ish-zyrtar i inteligjencës ruse dhe vajzës së tij, Julia, në Salisbury Angli. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i komunikoi urdhrin ambasadorit rus, Alexandër Karpushin, duke njoftuar se dy diplomatët ishin tashmë persona non grata.

Marrëdhëniet ekonomike midis Rusisë dhe Shqipërisë janë modeste. Gjatë vitit 2017, Shqipëria importoi mallra me vlerë 91 milion euro, rreth 1.9 për qind e importeve totale. Eksportet e Shqipërisë në Rusi kishin vlerë vetëm 0,7 milion euro.

Vendet e tjera të rajonit, u solidarizuan kundër Rusisë. Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha në atë kohë se Zagrebi kishte vendosur të tregonte “solidaritet me Mbretërinë e Bashkuar” dhe të shpallte të padëshiruar një diplomat rus. Rumania njoftoi gjithashtu se do të deklaronte një diplomat rus persona non grata. Marrëdhëniet diplomatike të Rumanisë me Rusinë kishin qenë të tensionuara, veçanërisht që nga koha kur Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi vendosën dëbimin e nga një diplomati rus në vendet respektive. Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Malit të Zi ishin tensionuar që nga tetori i vitit 2016, pas një komploti të mbështetur nga Rusia për të vrarë kryeministrin e Malit të Zi, për të përmbysur qeverinë dhe për të parandaluar anëtarësimin e republikës ish-Jugosllave në NATO. Kremlini e hodhi poshtë akuzën si absurde.

Por jo të gjithë në rajon ndoqën të njëjtat politika. Në rastin Skripal, pati disa përjashtime, sic ishin Serbia, Greqia dhe Bullgaria që nuk dëbuan diplomatë rusë.

Por jo për shumë gjatë. Në qershor të vitit 2018,  Greqia urdhëroi dëbimin e dy diplomatëve rusë dhe ndaloi hyrjen e dy të tjerëve për minim të sigurisë kombëtare. Qeveria greke akuzoi zyrtarët rusë se po vepronin për të marrë dhe shpërndarë informacione të ndjeshme.

E përditshmja greke Kathimerini raportoi se Rusia ishte përpjekur të ndërhynte në çështje të ndjeshme, veçanërisht në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë.

Zhvillimet ndodhën një muaj pasi Maqedonia dhe Greqia kishin rënë dakord të mbyllnin një sagë 27-vjeçare në lidhje me emrin e Maqedonisë, i cili u ndërrua në Maqedoni e Veriut.

Edhe Bullgaria që në rastin Skripal, nuk ishte rreshtuar me vendet e Perëndimit, në shtator 2020, u desh të përballej me spiunazhin rus, duke dëbuar dy diplomatë rusë të akredituar në vend si “persona non grata”.

Zyrtarët rusë thuhet se ishin “duke mbledhur informacione sekrete shtetërore në lidhje me Bullgarinë për t’i dorëzuar ato në një vend tjetër”. Prokurorët thanë se një sekretar i parë në seksionin konsullor të ambasadës ruse ishte përfshirë në spiunazh që nga viti 2017, duke kërkuar informacion në lidhje me procesin zgjedhor.

Një diplomat i dytë, që shërbente në zyrën e përfaqësimit komercial të Rusisë në Sofje, kishte mbledhur informacione mbi sigurinë e energjisë që nga tetori 2018, disa prej të cilave ishin sekrete shtetërore. Bullgaria ishte aleati më i besueshëm i Moskës në Evropën Lindore gjatë kohës sovjetike.

Pavarësisht tensioneve periodike në lidhjet e tyre post-sovjetike, megjithatë, Rusia mbetet furnizuesi më i madh i energjisë i Bullgarisë. Prokurorët akuzuan gjithashtu tre rusë për tentativën e vrasjes së një tregtari armësh dhe dy bullgarë të tjerë, helmimi i të cilëve po hetohej nga Sofja për lidhje të mundshme me helmimin e Skripal.

Në nëntor të vitit 2019, edhe Serbia u përball me Moskën, pavarësisht nga lidhjet solide midis dy vendeve. Por zyrtarët e lartë serbë bënë komente në lidhje me Bullgarinë pavarësisht nga fakti se një video e zbuluar tregonte spiunazh nga Rusia.

Videoja tregonte një operativ rus, i cili besohet të jetë oficer i inteligjencës ushtarake, duke korruptuar një oficer ushtarak serb. Të dy burrat shihen duke shkëmbyer çanta, duke marrë para dhe duke i numëruar ato. Christo Grozer, një gazetar bullgar që bashkëpunon me faqen hetimore Britanike Bellingcat, ishte i pari që postoi në Tëitter se njeriu rus në video ishte një operativ i GRU-së, inteligjencës ushtarake të Rusisë. Më pas, burri u identifikua si Georgiy Kleban, tani një ish zëvendës atashe ushtarak në ambasadën ruse në Beograd, konfirmoi ministria e jashtme serbe. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç konfirmoi javën e kaluar vërtetësinë e videos së zbuluar, duke iu drejtuar Rusisë, me të cilën Serbia ka qenë një aleat mjaft i ngushtë, me një pyetje, me një fjalë, “Pse?” Ndërkohë që Serbia hetonte skandalin e spiunazhit që përfshin operativin rus të GRU-së, deklaratat nga një zyrtar i lartë serb ndezën retorikën me Bullgarinë fqinje.

Anëtari i parlamentit serb Milovan Drecun akuzoi Bullgarinë për mbajtjen e një rrjeti spiunësh në Serbi dhe për kërcënim të integritetit territorial të Serbisë duke mbështetur pavarësinë e Kosovës së bashku me Gjermaninë dhe Austrinë. Më pas, edhe ministri i mbrojtjes në atë kohë, Aleksandar Vulin, bëri komente shtesë në lidhje me Bullgarinë duke e akuzuar atë si të përfshirë në “armatosjen e terroristëve”, duke bërë pyetjen: “A e dini sa armë bullgare u kanë shkuar terroristëve?”.

Por ministrja e jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva u përgjigj me qetësi lidhur me deklaratat që vinin nga Serbia dhe që implikonin Bullgarinë në skandalin e spiunimit me Rusinë.

“Në videon e zbuluar, unë nuk shoh një oficer bullgar të inteligjencës që rekruton oficerë të lartë serbë,” tha ajo.

Bullgaria vetë kishte pasur problemet e saj me spiunazhin rus. Në tetor 2019, udhëheqësi i lëvizjes bullgare “Russophiles” (“Rusofili”), Nikolay Malinov, u arrestua me akuzën e spiunimit në favor të Rusisë, ndërsa një diplomat rus u dëbua dhe një tjetri u refuzua të hynte në vend. Më pas, megjithatë, Malinov u la i lirë me kusht, dhe, edhe pse nuk duhej të largohej nga Bullgaria, ai arriti të fluturonte për në Moskë dhe të vlerësohej me një medalje nga Presidenti rus Vladimir Putin, pas së cilës u kthye përsëri në Bullgari.

Shërbimet sekrete ruse nuk kanë pushuar ndonjëherë përpjekjet në Ballkan, duke përdorur të gjitha mjetet dhe mënyrat, ashtu sic kanë bërë dhe bëjnë në shtetet e Evropës së vjetër dhe të re, që nënkupton vendet e ish-Lindjes.

Oficerët e inteligjencës ruse shpesh kanë si baza ambasadat dhe misionet e tjera diplomatike por në shumicën e rasteve punojnë si biznesmenë, akademike, madje edhe studentë. Disa prej tyre janë “ilegalë”, duke përdorur dokumente false dhe prezantohen si qytetarë nga shtete të tjera. Presidenti Vladimir Putin, që ishte edhe vetë një ish spiun sovjetik, shquhet për hobin e tij ndaj materialeve të inteligjencës. Ai i ka shpërndarë burimet tek tre shërbimet ruse të spiunazhit: Shërbimi i Jashtëm i Inteligjencës (Sluzhba Vneshney Razvedki), e njohur si SVR; Shërbimi i Sigurisë Federale (Federalnaya Sluzhba Bezopasnosti), e cila fokusohet kryesisht në kërcënimet e brendshme të sigurisë (përfshirë ato që derivojnë nga rusët që jetojnë jashtë shtetit): dhe Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake, GRU (Glavnoye Razvedyvatelnoye Upravleniye). Spiunët rusë notojnë të padukshëm në periferi, jetën e natës, në zyra qeveritarësh dhe konsulencash në Perëndim, duke shfrytëzuar besimin natyror dhe kolegjialitetin e një shoqërie të hapur.

Spiunazhi rus kërkon të jetë në ekspansion si në shtetet e dobëta dhe të trazuara të “Europës së Re” ashtu edhe në shtetet e pasura të “Europës së Vjetër”. Dobësia më e madhe e qasjes perëndimore është se e trajton kapjen e spiunëve, drejtësinë, mbikëqyrjen financiare dhe fushën mediatike si zona të ndara të vendimmarrjes. Rusia i shfrytëzon të gjitha këto të pandara, me operacione që kalojnë nga njëra tek tjetra. Duke pasur parasysh aspektet e shumta të kërcënimit me të cilën përballen autoritetet perëndimore, agjencitë e përfshira në këto fusha duhet të punojnë në unison, jo veç e veç, shkruan Edëard Lucas, I cili është edhe autor i librit “Mashtrimi: Historia e Pathënë e Spiunazhit të Sotëm Lindje –Perëndim”./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!