“Syri i Kaltër” jepet me qira tek privati, ministria e Financave nuk ka asnjë përgjigje për “Pse-në”

schedule15:29 - 31 Tetor, 2019

schedule 15:29 - 31 Tetor, 2019

Ministria e Financave dhe Ekonomisë do t’i japë me qira privatit për 10 vjet  “Syrin e Kaltër”.  Abc News ka mësuar se ky vendim nuk është konsultuar me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura ndonëse kjo është një zonë e mbrojtur.

“Syri i Kaltër” do t’i jepet me qira një kompanie private për dhjetë vjet. Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka njoftuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik.  “Syri i Kaltër” është një zonë e mbrojtur, por pavarësisht kësaj burimet i thane Abc News se ministria nuk e ka konsultuar këtë vendim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura.

Kompania private që do ta marrë me qira “Syrin e Kaltër” do të vendose atje pesë kabina druri me sipërfaqe 470 metra katrore.  Për këtë, vlera minimale që do t’i paguajë shtetit është shtatëdhjetë e dy mijë e pesëqind lekë/në muaj.

“Kjo pasuri natyrore e vendit  jepet me qira me qëllim ushtrimin e veprimtarie ekonomike e cila lë gjenerojë të ardhura për punësimin e banorëve të zonës. Ajo duhet të ruajë destinacionin fillestar, atë të ushtrimit të veprimtarisë në fushën e akomodimit turistik”,  thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Aktualisht zona që do të jepet me qira është nën menaxhimin e kompanisë “Albturist T.O sh.a” një kompani në pronësi të Ministrisë së Financave.

Pse një pasuri e tillë natyrore si “Syri i Kalter” që gjeneron të ardhura të konsiderueshme financiare nuk mund të menaxhohet nga shteti, por duhet ti jepet me qira privatit?

Abc News kërkoi një shpjegim nga Ministria e Financave, por nuk mori përgjigje.  Ndërkohë vetëm pak kohë më parë Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi deklaroi se pika turistike e “Syrit të Kaltër” po degradohej.

Shkak për këtë ishte mënyra e vjetëruar e menaxhimit dhe trajtimit. Klosi gjithashtu bëri me dije se ministria ka përgatitur dhe një projekt të ri që do të zbatohet në vitin 2020. Por a parashikon ky projekt dhënien me qira të “Syrit të Kaltër” siç njoftuan financat apo diçka tjetër mbetet të shohim./ABC News Albania 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!