Celta Vigo është kundërshtari i radhës në kampionat për Atletico Madrid. Ekipi i Diego Simeones po zhvillon një sezon fantastik, vijnë nga 8 fitore radhazi dhe kryesojnë La Liga me 7 pikë më shumë se Real Madrid dhe dy ndeshje më pak se “armiqtë” e të njëjtit qytet.
Diego Simeone flet rreth përballjes shtëpiake ndaj ekipit galician, që do të luhet të hënën në mbrëmje (21:00). Trajneri argjentinas flet edhe rreth formës fantastike të djemve të tij, duke bërë një krahasim me vitin 2014, ku u fitua për herë të fundit titulli kampion.
“Nuk mund ta bëjmë tani krahasimin midis këtij ekipi dhe atij që fitoi titullin shtatë vite më parë, duhet të presim fundin e sezonit. Vetëbesimi shtohet duke luajtur dhe lojtarët kanë nevojë të zbresin në fushë për të shprehur cilësitë e tyre.
Kur një futbollist është i mbushur me besim, ai mund të luajë në çdo pozicion. Kur je mesfushor e ke edhe më të lehtë për t’u aktivizuar në një tjetër rol.
Celta ka fituar fuqi dhe personalitet në sulm prej uljes së Coudet në stol. Ata janë një ekip që bëjnë shumë presing dhe sakrifikojnë shumë për njëri-tjetrin. Duhet të kemi kujdes nesër“, deklaroi El Cholo Simeone. /abcnews.al