Sylvinho “fsheh” kombëtaren dhe projekton formacionin, seancë stërvitore me dyer të mbyllura

schedule12:39 - 23 Mars, 2023

schedule 12:39 - 23 Mars, 2023

E enjtja është një ditë e rëndësishme për kombëtaren e Shqipërisë. Trajneri Sylvinho bën “provat gjenerale” për ndeshjen kundër Polonisë, duke projektuar edhe formacionin e mundshëm. Për këtë arsye, tekniku ka vendosur që dy seancat stërvitore të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Kombëtarja e Shqipërisë vijon përgatitjet për sfidën e parë në eliminatoret e Euro 2024, në program më 27 mars në transfertën e Polonisë. E enjtja e është dita e “provave gjenerale” dhe kjo konfirmohet nga vendimi i Sylvinho për të zhvilluar seancat stërvitore me dyer të mbyllura, pra pa praninë e mediave.

Skuadra kuqezi zbriti në fushën stërvitore në orën 10:30 dhe për afro 90 minuta sipas udhëzimeve të teknikut brazilian dhe stafit të tij.

Që nga dita e mërkurë, kur ndau ekipin në dy grupe me një ndeshje të shkurtër kontrolli, Sylvinho po projekton edhe formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë në Varshavë.

Po ashtu, trajneri brazilian ka shtuar ritmin dhe ngarkesën në seancat stërvitore dhe në këtë mënyrë do të vijojë deri të shtunën.  Ai kërkon të injektojë sa më shpejt idetë e tij për futbollin dhe po bën prova me formacionin, në mënyrë që të bëjë zgjedhjet e duhura për ndeshjen kundër Polonisë.

Sylvinho pritet të ndryshojë shumë taktikisht dhe në modulin e lojës nga paraardhësi i tij Edi Reja.

Një vëmendje e veçantë u është dhënë goditjeve standarte, që në të shkuarën kanë qenë një pikë e dobët e skuadrës kuqezi, ku është ndëshkuar shpesh nga harkimet në zonë.

Edhe seanca e dytë e së enjtes do të jetë me dyer të mbyllura, ndërsa lajm i mirë është që të gjithë futbollistët e grumbulluar nga Sylvinho janë në dispozicion dhe nuk kanë problem fizike./ h.ll/abcnews.al