Surprizon patriotin e vogël që po vuante, Kumbulla mahnit edhe italianët

schedule16:44 - 19 Nëntor, 2020

schedule 16:44 - 19 Nëntor, 2020

Marash Kumbulla është një nga futbollistët më të mirë shqiptarë. Mbrojtësi nga Malësia e Madhe shkëlqeu me Hellas Veronën sezonin e kaluar në Serie A, i pari për të në elitën e futbollit italian.

Ndeshjet pozitive ndikuan që të transferohej te Roma, ekip me të cilin ka shënuar dy gola deri tani. 20-vjeçari është infektuar me Covid-19 ditët e fundit, duke humbur tre sfidat e muajit nëntor me Shqipërinë.

Kumbulla është një djalosh me ambicie dhe ëndrra të mëdha, por edhe modest e më këmbë në tokë. Së fundmi ka kryer një gjest shumë të bukur, që ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave italiane.

Djalë me zemër të artë“, shkruan Calciomercato në lidhje me shtatlartin shqiptar. Anji është një vogëlush 4-vjeçar shqiptar, i cili nuk ka shumë kohë që është transferuar të jetojë në Milano.

Gjuhën e huaj nuk e ka mësuar akoma dhe ka hasur vështirësi për t’u integruar në shkollë. Anji nuk duron më dhe nis të qajë, prej shkakut që nuk arrin të kuptojë asgjë apo të krijojë miqësi të reja.

Kumbulla e ka marrë vesh problemin e patriotit të tij të vogël dhe nuk ka humbur kohë për të bërë diçka e për të përmirësuar situatën. Ylli i kombëtares kuqezi i ka dërguar Anjit një video mesazh, duke e gëzuar dhe inkurajuar për të ardhmen.

Për pak momente Anji ka harruar lotët dhe ka nisur të buzëqeshë e lumturohet nga idhulli i tij i ri. Mamaja e vogëlushit, e emocionuar për veprimin e Kumbullës, ka bërë publik gjestin njerëzor të Marashit në rrjetet sociale, veprim që i ka emocionuar të gjithë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!