Superliga, trajnerët flasin pas ndeshjeve

schedule21:56 - 23 Dhjetor, 2018

schedule 21:56 - 23 Dhjetor, 2018

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, dyshon se kundërshtarët po luajnë në favor të rivalëve për titull, në Superligë. Gjithsesi, tekniku kryeqytetas u shpreh se edhe ekipi i tij bëri mjaft gabime.

Nuk është se u habit shumë, por nuk e kapërdiu aq lehtë. Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, u shpreh hapur pas ndeshjes se kundërshtarët luajnë ndryshe ndaj ekipit të tij, dhe ndryshe ndaj rivalëve për titull.

“Bëjnë mirë që luajnë fort ndaj Partizanit, unë nuk do të jem kurrë pjesë e së keqe”, ishin fjalët e tij, në mbyllje të sfidës së Superligës ndaj Luftëtarit.

Gjithsesi, pak minuta më vonë, kur doli përpara televizioneve të tjerë, Gega, u tregua pak më i përmbajtur.

“Pjesën e dytë vendosëm që të sulmojmë më tepër ndoshta edhe mundësitë sot për sot ishin aq dhe terreni ishte i rënduar. Bëmë gabime, bëmë edhe dhurata. Megjithatë ky është futbolli ka dhe rezultate pozitive, por edhe surpriza. Duhet të marrim maksimumin. Ka kaluar vetëm gjysma kështu që është shumë herët që të flasësh për objektiva madhore”, tha Gega.

Trajneri i Luftëtarit, Mezani, mendon se skuadra e tij meriton më shumë sesa vendi në renditje.

“Nuk do më pëlqente që të kisha një skuadër që lufton për mbijetesë sepse u pa dhe sot, forca në skuadër është dhe mund të bëhet më shumë. Cilësitë në skuadër dhe na del detyrë që fazën e dytë të sforcohemi akoma më shumë”, tha Mezani.

Kukësi fitoi 2-0 me Kastriotin dhe iu afrua vendit të parë, me trajnerin Cungu që komentoi kështu.

“Jam shumë i kënaqshëm me këtë ekip. Kanë bërë një progres shumë të madh që nga dita e parë. Duke pasur parasysh të gjitha problemet që kemi pasur çdo trajner do ishte i kënaqur me këtë grup lojtarësh”, u shpreh Cungu.

Kolegu i tij, Stavri Nica i Kastriotit, bëri një deklaratë të fortë.

“Dyshoj për këtë ecuri dhe me këtë dyshim që jam nëse nuk dëgjohet fjala ime dhe s’është marrë në konsideratë deri tani më vjen mua të largohem dhe të vazhdojmë programin”, tha Nica./abcnews.al